Flash News

E-TJERA

Ndihma Ligjore Falas: kush dhe si përfiton?

Ndihma Ligjore Falas: kush dhe si përfiton?

Sipas një studimi për aksesin në drejtësi, të kryer nga PNUD, pothuajse gjysma e popullatës (48,7%) kanë raportuar të kenë  pasur probleme ligjore gjatë pesë viteve të fundit. Rezultatet e studimit nxjerrin gjithashtu në pah se individët kanë nivel mjaft të ulët njohurie për të drejtat e tyre dhe kjo është më e theksuar te popullata rome, personat me nivel arsimor e të ardhura të ulta.

Kështu lindi nevoja për shërbime ligjore falas nga të cilat përfitojnë kryesisht anëtarë të komunitetit rom, personat me të ardhura të ulta, ata me nivel arsimor të ulët, anëtarë të komunitetit LGBTI, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët në institucione rezidenciale.

1322 persona kanë përfituar ndihmë ligjore falas, në saj të mbështetjes që PNUD i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë, me fonde të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, për të shtrirë shërbimin e ndihmës juridike në shumë rrethe të vendit duke ngritur zyrat e Ndihmës Ligjore Falas.

Sipas Edlira Papavangjelit, Menaxhere Programi në UNDP Shqipëri: “Përpos njohurisë së cunguar, disa grupe të pafavorizuara e kanë edhe më të vështirë të kenë akses në drejtësi dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë të drejtë,  kjo për shkak se këta individë përballen me forma të ndryshme të diskriminimit dhe përjashtimit social dhe për rrjedhojë edhe të përfitimit të shërbimeve, përfshi edhe një akses të papenguar dhe të barabartë në sistemin gjyqësor.”

Ky shërbim ofrohet në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Lezhë, Pogradec dhe Peshkopi. Parashikohet që këto shërbime të ofrohen edhe në rrethe të tjera në të ardhmen.

Të fundit