Flash News

E-TJERA

Ndryshime në qeveri, shkarkohet nga detyra zëvëndësministrja e Financave, Denaj: Do largohet nga Shqipëria

Ndryshime në qeveri, shkarkohet nga detyra zëvëndësministrja

Me vendim të Këshillit të Ministrave dhe propozimin e kryeministrit Edi Rama është liruar nga detyra zëvëndësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi. Vendimi i miratuar ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ikonomi e mbante këtë detyre prej muajit mars të vitit 2019. Më herët, Belinda Ikonomi ka qenë në krye të Drejtorisë së Doganave. Ende nuk është caktuar se kush do të jetë zëvëndësuesi i saj si dhe arsyet e shkarkimit nga detyra.

V E N D I M PËR LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Belinda Ikonomi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Anila Denaj tregon arsyen: Do largohet nga Shqipëria 

Ministrja e Financave, Anila Denaj ka zbardhur shkakun e lirimit nga detyra të zëvendëses së saj, Belinda Ikonomi.

Në një status në rrjetet sociale, Denaj sqaron se Ikonomi u lirua nga detyra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për t'iu bashkuar familjes jashtë vendit. 

Një falënderim të veçantë për Zv.Ministren Ikonomi, për kontributin e dhënë për disa nga reformat kryesore në dobi të biznesit dhe nxitjes së investimeve në vend.

Me largimin jashtë vendit për t'iu bashkuar familjes, Belinda, lë pas një marrëdhënie të përmirësuar me biznesin dhe në finalizim një sërë nismash pro sipërmarrjes të filluara vitin e shkuar.
Suksese të mëtejshme Belinda!”, shkruan ministrja.

Të fundit