Flash News

E-TJERA

"Ne flasim shqip", studentët shqiptarë protestojnë në Shkup, kërkojnë dorëheqjen e dy ministrave

"Ne flasim shqip", studentët shqiptarë protestojnë

Studentët shqiptarë në Shkup kanë dalë në protestë këtë të hënë, duke kundërshtuar moslejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë që sipas tyre garantohet nga ligji dhe Kushtetuta.

Të shumtë në numër, protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Ligji për gjuhët është i qartë”, “Mos mohoni të drejtën e fituar”, “Marrëveshja e Ohrit nuk negociohet” dhe “Dorëheqje”.

Protesta nisi me një marshim nga Ura e Gurit dhe vijoi drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku studentët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për çështjen e tyre.

Sipas organizatorëve, 385 studentë shqiptarë nga tre universitete kanë firmosur një peticion, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e tyre ligjore.

Studentët theksojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre dhe paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse institucionet nuk reagojnë. Gjatë marshimit ata i janë drejtuar ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe ministres së Arsimit Vesna Janevska që të dorëzojnë dorëheqjen.

 

Të fundit