Flash News

E-TJERA

Nga çmimet e larta te borxhi/ Parashikimet e zymta të BSH-së për ekonominë, ç’thotë për raportin e BERZH

Nga çmimet e larta te borxhi/ Parashikimet e zymta të BSH-së

Ditën e sotme është prezantuar “Raporti i Tranzicionit 2021-2022”, i përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Gurvenatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sekjo tha se çmimet do të vijojnë të mbeten të larta përgjatë gjithë vitit 2022.

“Sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe sanksionet e vendosura, kanë sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve të ushqimeve, të naftës, të produkteve energjitike dhe të lëndëve të para, në tregjet ndërkombëtare. Ndonëse pasiguria është e konsiderueshme, informacioni i disponuar sugjeron se këto çmime do të vijojnë të mbeten të larta, të paktën dhe gjatë pjesës së mbetur të vitit 2022”, tha ai.

Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset dhe bilancet e sektorit publik, për një horizont jo të shkurtër kohor.

“Bazuar në informacionin aktual, projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektiv për pjesën më të madhe të dy viteve të ardhshme. Në të njëjtën kohë, marzhet e fitimit të biznesit do të vihen në presion dhe kostot e shërbimit të borxhit do të rriten”, u shpreh gurvenatori.

Në këto kushte, ai kërkoi që autoritetet publike duhet të mbrojnë nga pasojat e goditjes shtresat më në nevojë të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë.

Ky objektiv, sipas tij, duhet të përmbushet nëpërmjet një ndërhyrjeje të përkohshme dhe të kujdesshme të politikës fiskale, për të shmangur rritjen e borxhit publik.

Sejko tha se “Raporti thekson se avancimi i reformave të tregut financiar, si dhe i atyre që mundësojnë krijimin e një tregu funksional kapitalesh, është i domosdoshëm për të rritur diversifikimin e instrumenteve të financimit dhe përbën një potencial ende të pashfrytëzuar për ekonomitë tona”.

 

Të fundit