Flash News

E-TJERA

Nobelistja në Shqipëri – e pabotuar, por e përkthyer

Nobelistja në Shqipëri – e pabotuar, por e përkthyer

Arteka.al

As një minutë nga shpallja e emrit të Nobelit në Letërsi, për 2020-2n, në rrjetet sociale nisën të publikohen njëra pas tjetrës poezi pafund, disa të sapopërkthyera, e të tjera të risjella nga arkivi i ndonjë përkthyesi – por, në këtë gjallim të beftë të poezisë, si një zhanër që s’ka dhe nuk pranon lehtë lexues, nga poetja amerikane Louis Gluck nuk ka asnjë botim në shqip. “Arteka.al” ka veçuar dy shpërndarje interesante në rrjetin social, nga dy përkthyes të njohur, të cilët bashkë me poezi të përkthyera na përkthejnë edhe përjetimet personale. Për lexuesit shqiptar poezia e amerikanes është një realitet krejt tjetër nga ç’është mësuar të “këndojnë”, megjithatë kontekstet e krijimit gjithnjë kërkojnë harta të reja lexuesish. Kij parasysh se çfarë dinamike merr përhapja e emrit, fill pas njohjes nga Nobeli.

Edon Qesari na krijon një qasje të tillë, kaq të freskët, ndërsa Sokol Çunga është bartës i hershëm i “zërit” të nobelistes, pa qenë e tillë.

“Nëse përzgjedhja e fituesit për çmimi Nobel në letërsi është njëkohësisht një qëndrim apo mesazh drejtuar bashkëkohësisë, ky i këtë viti është ndër më të zymtit, siç dhe më apokaliptikët.

Poetesha amerikane Louise Glück – fituese, më herët, e çmimeve si Pulitzer apo National Book Aëard – është e njohur përtej oqeanit për vargëzimin e saj plot simbolika të huazuara nga mitologjitë e ndryshme evropiane dhe figuracionin metafizik që e shoqëron drejt peizazhesh veçanërisht vetmitare.

Para një viti, kur e pata lexuar për herë të parë, i përktheva disa poezi. Mes të cilave kjo më poshtë, me titull ‘Një trill’” – shkruan Qesari, prej të cilit përcjellim përkthimin e Gluck.

 

Vdesin njerëz. Dhe ky është veç fillimi.

Përditë, në shtëpi që mbajnë zi, vejusha të rishta linden,

jetime të rishta. Rrinë ulur duarlidhur,

rreken të vendosin se ç’do bëjnë me jetën e re.

Pastaj gjenden në varreza, ca prej tyre

për herë të parë. Kanë frikë të vajtojnë,

ndonjëherë të mos vajtojnë. Ndonjë përkulet mbi to,

u jep udhëzime për më vonë, siç mund të jetë

ndonjë fjalim i shkurtër, apo dhe

hedhjen e një grushti dhé mbi varrin e hapur.

Dhe pas kësaj, çdokush kthehet tek shtëpia,

mbushur përnjëherësh plot me ngushëllues.

Vejusha rri ulur ne divan, krejt hijerëndë,

ndaj njerëzit vihen në radhë për t’iu afruar,

ndonjëherë për t’i dhënë dorën, ndonjëherë për ta përqafuar,

Ajo e gjen diçka për t’i thënë kujtdo,

t’i falënderojë ata, t’i falënderojë që erdhën.

Thellë në shpirt, ajo do që ata të ikin.

Ajo do që të kthehet në varreza,

të kthehet në dhomën e të sëmurit, në spital. Ajo e di

që s’është e mundur. Ndonëse veç ajo shpresë i ka mbetur,

urimi për t’u kthyer pas. Dhe veç një grimë –

mos vemi deri tek martesa – puthja e parë.

“Teksa në Shqipëri vazhdon edhe më fort refreni “poezia nuk shet”, ja ku vjen një Nobel pikërisht për atë që nuk shet, poezinë. Proza s’është më e keqe se poezia, por, ndoshta, edhe tek bulemia e prozës duhet parë shkaku i prozaizmit të mendjeve shqipmendonjëse, shqipfolëse dhe shqipshkronjëse. Që të dal në temë pa pikë modestie, ekzistonte një herë e një kohë një periodik letrar me emrin “Mehr Licht!”, ku sindonja 13 vite të shkuar patëm botuar, përkthyer në shqip, ca poezi nga nobelistja e sotshme. Prej tyre, dy këtuza…”, shkruan Sokol Çunga duke na freskuar memorien:

 

Një burrë përkulet mbi tryezën e punës.

Një grua, në duar mban trëndafila.

Fytyra e saj lundron në fytyrën e pasqyrës,

Shenjuar nga kërcejtë jeshilë të trëndafilave.

Vuajtjeje: gjithmonë fleta e tejpashme

E çuar kah dritarja, deri sa venat e saj shfaqen,

Më në fund, si fjalë të mbushura me bojë.

Apo çfarë i lidh me shtëpinë e ngulur në vend nga muzgu

Sepse duhet të bëhem pjesë e jetëve të tyre:

Cipërohet me lule të bardha, të brishta.

Nata e mbulon pellgun me flatrën e saj.

Nën hënën e bërë lak arrij të shoh

Fytyrat tona që notojnë mes cironkave dhe yjve

Të vegjël në pasqyrë. Në ajrin e natës

Përbrenda, sytë e tu janë të hapur. Bartin

Se jemi njohur që fëmijë. Mëzat tanë

Kullotnin në kodër, mëza të përhimë

Me pulla të bardha. Tani kullosin

Shoqëri me të vdekurit që presin

Si fëmijë nën parzmoret prej graniti,

Parzmoret vezulluese të topitura:

Për çfarë po mendon, tek rri shtrirë qetësisht

Pranë ujit? Kur merr këtë pamje dëshiroj

Të të prek, por nuk e bëj, tek shoh

Se në një jetë tjetër kemi pasur të njëjtin gjak.

Përktheu: Sokol Çunga

[botuar në “Mehr Licht!”, Nr. 31, nëntor 2007, f. 39 – 45.]

Të fundit