Flash News

E-TJERA

"Nuk jam pjesë e asnjë grupimi", oferta e Kadillit: Vlen për demokratin e thjeshtë, jo për sallonet politike

"Nuk jam pjesë e asnjë grupimi", oferta e Kadillit: Vlen
Fatbardh Kadilli

Anëtari i Kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli sqaroi se nuk është pjesë e grupimit "Për PD", por shprehu mbështetjen për këdo që kërkon largimin e kryedemokratin Lulzim Basha, pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit.

"Nuk jam pjesë e asnjë grupimi. Nuk kam asnjë rezerëve për çdo person apo grup që kërkon largimin e z.Basha, madje kam mirëkuptim maksimal dhe mbështetje maksimale, por nuk jam pjesë e asnjë grupimi", tha ai.

Kadilli ka shpallur kandidaturën për kryetar të PD. Për këtë ai ka thënë se synon që karrierën e gjatë që ka në këtë forcë politike ta vendosë në dispozicion në këtë moment të rëndësishëm.

Anëtari i Kryesisë tha se oferta e tij është për demokratin e thjeshtë dhe jo për sallonet politike, siç i quajti ai. Kadilli deklaroi në 'Euronews Albania' se Lulzim Basha nuk ia doli ta mbrojë PD ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mjetet që ai përdori për të ardhur në pushtet.

Në këto kushte, ai vlerëson se është koha që Basha të largohet dhe të krijohet një projekt i ri politik, ku të mblidhen të gjitha energjitë e kësaj partie. Sipas tij, PD është mirë kur është e madhe dhe e fortë.

"Kam dalë si Fatbardh Kadilli, si një njeri me një karrierë politike të gjatë, kam 20 vjet anëtar i Këshillit Kombëtar, 10 vjet anëtari i Kryesisë së kësaj partie, kam qenë Sekretar i Burimeve Njerëzore, kam mbuluar si Koordinator përgjegjës politik qarqë të rëndësihme si Vlora, Korça, Fieri dhe Beratin me sukses të jashtëzakonshëm në vitin 2015.

Kam një përvojë, të cilën dua ta vë në dispozicion të PD dhe do ta vë në dispozicion. Demokratët do të kenë mundësi të zgjedhin midis ofertave. Oferta ime iu flet demokratëve, nuk i flet asnjë figure politike.

E kam thënë dhe dua ta përsërish nuk kam një ofertë për sallonet e politikës, kam një ofertë për demokratin e thjeshtë. Demokrati i thjeshtë duhet ta dijë se prej Lulzim Bashës kemi shkuar në humbje, se nuk ia doli të na mbronte përballë abuzimeve të Edi Ramës, përballë blerjes së votës, përballë makinerisë së pushtetit, nuk ia doli.

Nëse nuk ia ka dalë dy here, nuk mund të shpresoj për një herë të tretë. Ai duhet të largohet, të krijohet një projekt i ri politik, ku të mblidhen të gjitha energjitë e kësaj partie. Nuk mund të jetë një parti demokratike që ndahet, e mirë është kur është e madhe dhe e fortë", tha Kadilli.

 

Të fundit