Flash News

E-TJERA

Oligarkët përfitojnë nga shtyrja e afatit për ‘investimet strategjike’

Oligarkët përfitojnë nga shtyrja e afatit për

Opozita dhe ekspertët e ekonomisë kundërshtuan shtyrjen e afatit të ligjit për investimet strategjike, duke theksuar se kjo skemë ka tërhequr para të pista dhe sjellje klienteliste në favor të oligarkëve, si dhe ka cënuar pronën private duke nxitur konflikte sociale.

Në seancën e fundit të vitit parlamenti miratoi pa debat dhe vetëm me votat e mazhorancës, një zgjatje të re afati për zbatimin e ligjit për ‘investimeve strategjike’ deri në vitin 2023.

Me 75 vota pro, mazhoranca qeverisëse votoi të hënën propozimin e deputetit socialist, Arben Pëllumbi, i cili u fut me procedurë të përshpjetuar në seancë plenare dhe nuk pati diskutime në komisionet parlamentare.

Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Pëllumbi argumentoi se shtyrja kërkohej pasi disa nga projektet e miratuara nga qeveria rishtazi, akoma nuk kishin nisur nga puna pasi “shtrihen ne zona ku ende nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme”.

Ai tha se me shtyrjen e afatit të zbatimit të ligjit, do i jepet kohë Kadastrës që të vendosë pronat në dispozicion të këtyre investimeve. Prezantimi i deputetit Pëllumbi nuk tërhoqi vëmendje dhe nuk krijoi debat në sallën e mbetur gjysëm bosh të Kuvendit, ku të hënën mungonin deputetët e opozitës.

Megjithatë, pas seacës plenare disa prej tyre reagun, duke e cilësuar projektligjin si cënim për të drejtën e pronës private në favor të interesave të oligarkëve.

Kundër shtyrjes së afatit të ligjit janë shprehur dhe ekspertët e ekonomisë, të cilët i cilësojnë këto investime si klienteliste, duke theksuar se ato kanë krijuar konflikte sociale dhe janë kthyer në një instrument për kanalizimin e parave të pista në ekonomi.

Ligj në përfitim të oligarkisë

Ligji për investimet strategjike i njeh statusin investitor strategjik çdo subjekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Për të lehtësuar procedurat e këtyre investitorëve qeveria ka miratuar 10 vendime duke u mundësuar konsolidimin e titujve të pronësisë. Në bazë të tyre shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, si dhe infrastrukturë rrugore.

Ligji i miratuar fillimisht në vitin 2015, parashikonte dhjetorin e 2018-ës si afat përfundimtar për marrjen e statusit “investitor strategjik”, por mazhoranca ka preferuar t’a zgjasë disa herë këtë afat me të njëjtin argument; krijimi i boshllëkut ligjor për investimet me premtimin e vazhdueshëm të ministrisë së Financiave për hartimin e një ligji të ri.

Sipas ligjit në fuqi, shteti i ofron mbështetje me infrastrukturë dhe konsolidim të titujve të pronësisë çdo kompanie që fiton statusin e “investitorit strategjik”.  Ky status, në mënyrë të veçantë në bregdetin e Jonit, kanë krijuar konflikte me banorët vendas, pasi gjurmët e resorteve janë hedhur mbi prona të kontestuara.

Sipas kritikëve zbatimi i ligjit duket se është kthyer në një instrument në shërbim të pak personave të lidhur me pushtetin, pa sjellë ndonjë ndikim të dukshëm në ekonomi.

Nxitja e konfliktit për pronën

Me shqetësim e shohin zbatimin e këtij ligji edhe ekspertët e ekonomisë, në raport me të drejtën e pronësisë dhe mungesën e një impakti në ekonominë e vendit.

Për Selami Xhepën, profesor ekonomie në Universitetin Europian të Tiranës, ligji ka krijuar një problematikë serioze në raport me të drejtat e pronësisë, duke ligjëruar shtetëzimin e pronës private për interesa të investitorëve privat.

Kjo praktikë do të rrisë, sipas tij, “kostot e shoqërisë për kompensimin e ish-pronarëve” dhe mund të bëhet shkak për konflikte sociale.

Xhepa i tha BIRN-it se e konsideronte të gabuar ndihmën e investitorëve nëpërmjet këtij ligji, pasi, sipas tij, një ligj i mëparshëm që zbatonte parimet e respektimit të të drejtave të pronës për pronarët, ofronte garanci të mjaftueshme për investitorët në raste konfliktesh që mund të krijoheshin.

Edhe për Zef Preçin, drejtor ekzekutiv i Qëndrës për Kërkime Ekonomike, zbatimi i këtij ligji mund të çojë në konflike sociale, pasi qeveria merr përsipër shpronësimin në kundërshtim me ligjet në fuqi.

‘Viktima’,  ashtu si në rastin Beckett-i, tha ai, ‘mbetet buxheti i qytetarëve të varfër shqiptarë për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe të interesave të ngushta e korruptive të elites politike drejtuese të vendit’.

Ligj klientelist

Ekspertët e shohin ligjin si problematik edhe në favorizimin e klientelizmit me kompanitë përfituese dhe pa impakt donethënës për ekonominë e vendit – ndryshe nga çfarë pretendohej kur u hartua ligji nga qeveria.

Sipas Xhepës, ligji është përdorur mbi baza klienteliste, “në kushtet e mungesës së plotë të transparencës dhe bërjes publike të përfitimeve të shoqërise prej këtyre projekteve”.

Në veçanti abuzimet, sipas tij,  “kanë qenë evidente në zonat bregdetare, ku ligji është përdorur për të mbështetur projekte ndërtimesh vilash private dhe jo komplekse turistike, siç jemi mësuar të shohim në vendet fqinj, si Mali i Zi, apo në vende si Turqia”.

Për Zef Preçin që në nisje ligji parashikonte largimin nga nocionet bazë të këtyre investimeve dhe po kthehej në “një instrument legal për lejimin e penetrimit në sektorin publik të parave me origjinë të dyshimtë apo kriminale, si dhe për klientelizëm politik dhe kapjen e shtetit nga oligarkia”.

Sipas tij, ligji është larg qëllimit formal të tij “për interes publik”, me mungesën e kontributeve të drejtpërdrejta në punësim, në tatime-taksa, etj./ BIRN

Të fundit