Flash News

E-TJERA

Olsi Komici emërohet drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Olsi Komici emërohet drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Olsi Komici është emëruar si drejtori i ri i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke zëvendësuar Edmond Rrushin në këtë post. Burime për “Vox News” konfirmojnë se Rrushi, ish-deputet i LSI-së, është shkarkuar nga detyra, ndërsa vendimi pritet të zyrtarizohet nga Këshilli i Ministrave.

Kush është Olsi Komici?

Olsi Komici është një jurist me një eksperiencë të gjatë në administratën shtetërore. Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1998 dhe ka ndjekur trajnime të specializuara nga USAID dhe World Learning në Edinburg mbi sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Gjatë karrierës së tij, Komici ka mbajtur pozicione të rëndësishme, përfshirë jurist pranë Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe kryetar i komanduar i Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës për qarkun Tiranë. Ai ka punuar edhe në Agjencinë e Trajtimit të Kredive për shtatë vjet, ku ka mbajtur detyrën e zv.drejtorit të përgjithshëm.

Ndër të tjera, Komici ka shërbyer si ekspert ligjor në Kryeministri dhe anëtar i Task-Forcës për verifikimin e ligjshmërisë së pronave në zonën Vlorë-Sarandë. Më pas, ai ka ushtruar profesionin e avokatit dhe ka qenë zv.drejtor i ALUIZNI-t. Deri në emërimin e tij në krye të AKU-së, ai ka qenë Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Me një karrierë të gjatë në sektorin juridik dhe administratën publike, pritet që Komici të sjellë eksperiencën e tij në menaxhimin e AKU-së, institucionit përgjegjës për kontrollin e sigurisë ushqimore në vend.

Të fundit