Flash News

E-TJERA

Pas Korçës, edhe avokatët e Shkodrës kundër hartës së re gjyqësore: Largon qytetarin nga gjykata

Pas Korçës, edhe avokatët e Shkodrës kundër

Avokatët e kanë kundërshtuar hartën e re gjyqësore, e cila parashikon shkrirjen e disa gjykatave duke lënë vetëm 12 Gjykata të Shkallës së Parë, 2 gjykata Administrative dhe një Gjykatë Apeli në Tiranë.

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Shkodër, Anton Kosteri, është shprehur se e kundërshtojnë draftin e propozuar nga KLGJ-ja dhe Ministria e Drejtësisë. Sipas Kosterit, harta e re e largon qytetarin nga gjykata dhe e detyron të udhëtojë larg duke i shtuar kostot.

Kosteri i bëri thirrje edhe Dhomave të tjera të Avokatisë, t’i bashkohen qëndrimit të Korçës dhe Shkodrës, për ta kundërshtuar këtë draft.

“Në lidhje me hartën e re gjyqësore të propozuar nga ministria e Drejtësisë dhe KLGJ ne si dhoma e avokatisë në Shkodër e kundërshtojmë këtë draft, i cili për mendimin tonë është në kundërshtim dhe në shkelje të rëndë të së drejtës së aksesit në Gjykatë të qytetarëve. Ne vlerësojmë se kjo hartë është në shkelje të rëndë të interesit publik të qytetarëve duke u larguar atyre Gjykatën nga vendi i tyre i banimit. Ne vlerësojmë se shkurtimi i 19 Gjykatave e largon në mënyrë domethënëse qytetarin nga Gjykata sepse e detyron që qytetarët nga skajet më të largëta ta Shqipërisë të shkojnë në Tiranë ku përveç kostove të udhëtimit duhet të gjejnë dhe një hotel në Tiranë pasi nuk mund ta bëjnë brenda ditës. Ne vlerësojmë se qëllimi i diabolik i këtij drafti dhe që i fshihen publikut, është dështimi katastrofik reformës në drejtësi- që ka shkaktuar fillimisht bllokimin e GJL dhe GJK, dhe tani edhe vijon edhe me bllokimin e gjykatësve të Apelit dhe atyre Administrative, për shkak të strategjisë së gabuar të ndjekur që në fillim të reformës, duke mos përgatitur fillimisht terrenin e duhur që do lindte pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithashtu, vlerësojmë se këto institucione nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga dështimi edhe i krijimit të Gjykatave Administrative, që ka shkaktuar bllokimin e Gjykatës Administrative të Apelit, me tre mijë dosje për gjyqtar dhe vijon të bëjë gabim pas gabimi, për të arnuar defektet e së kaluarës. Kosteri  i bëri thirrje edhe dhomave të tjera që ti bashkohen qëndrimit të Dhomës së Korçës dhe Shkodrës dhe ta kundërshtojnë këtë draft”, deklaroi Kosteri, para medieve.

Të fundit