Flash News

E-TJERA

Pas presionit politik, Këshilli Drejtues i RTSH pezullon procesin për drejtorin e ri

Pas presionit politik, Këshilli Drejtues i RTSH pezullon procesin për

Vendimi i votuar nga shumica e anëtarëve, sipas dokumentit të publikuar nga RTSH, u mor një ditë pasi Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Median i kërkoi urgjentisht që të pezullonte këtë proces me akuzat se ky këshill ka shkelur ligjin në procedurat e ndjekura.

Me konsensus mes anëtarëve të opozitës dhe mazhorancës, Komisioni vendosi që të thërrasë në një seancë llogaridhënie anëtarët e këshillit drejtues të RTSH-së për problematikat e konstatuara në procedurat përzgjedhëse për drejtorin e ri.

Kryetarja e këtij komisioni, Ina Zhupa paralajmëroi nisjen e procedurës për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues nëse ky këshill do të refuzonte kërkesën për ndërprerje të procesit, të cilin ajo e cilësoi në shkelje të ligjit.

Në 27 janar, Këshilli Drejtues me shumicë votash skualifikoi nga gara 3 nga 5 kandidatët për drejtor të përgjithshëm të RTSH-së me pretendimin se nuk plotësonin kriteret për kualifikim. Pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit.

Nga gara u skualifikuan kandidatët Eni Vasili, Kliton Rama dhe Ermal Hoxha, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy kandidatë; Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, kjo e fundit drejtore e komanduar e RTSH-së pas dorëheqjes së Alfred Pezës.

Procedura e votimit u cilësua i paligjshëm edhe nga kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo , i cili paralajmëroi ankimin e tij në organet e drejtësisë.

Procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri nisi 6 muaj pasi dha dorëheqjen drejtori i mëparshëm i RTSH-së, Alfred Peza, zgjedhja e të cilit gjithashtu u kontestua për shkak të karrierës së tij të gjatë politike pranë Partisë Socialiste.

Peza u përball me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë një viti që mbajti detyrën. Transmetuesi publik është në teori një institucion politikisht i pavarur, por bordi drejtues zgjidhet nga parlamenti me një formulë ku dy partitë kryesore përzgjedhin kandidatët e tyre të preferuar. Reporter.al

Të fundit