Flash News

E-TJERA

Pas ultimatumit të KE, sot Këshilli i Mandateve shqyrton imunitetin e Ballukut

Pas ultimatumit të KE, sot Këshilli i Mandateve shqyrton imunitetin e

Sot mblidhet Këshilli i Mandateve ku do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Vendimi për mbledhjen e Këshillit vjen disa ditë pasi Komisioni Europian i kërkoi Kuvendit të shqyrtojë pa vonesa kërkesën e SPAK.

Heqja e imunitetit do t’i hapte rrugë autoriteteve për të nisur procedurat e arrestimit të Ballukut, qoftë në burg, në shtëpi apo për kontroll banese.

Mbledhja e Këshillit vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së Gjykatës së Lartë, e cila kishte shkarkuar nga funksionet publike zv/kryeministren.

Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve, i drejtuar nga Niko Peleshi, do të vendosë të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme apo jo.

Numri dy i qeverisë është e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe.

SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë.

“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK.

Të fundit