Flash News

E-TJERA

Përtej “shkëlqimit” të shifrave, molla e krimbur e ekonomisë shqiptare

Përtej “shkëlqimit” të shifrave, molla e krimbur e

 

Ekonomia shqiptare nuk e ka pasur asnjëherë problem të “shkëlqejë” me shifrat. Rezultati final është gjithmonë më i mirë sesa parashikimi i fillimvitit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) priste në fillim të 2023-shit që viti të mbyllej me një rritje prej 2%, ndërsa shifra reale mund të rezultojë midis 3.2-3.5%, në varësi të rezultateve të tremujorit të katërt.

Në vitin 2022, vendi u zgjerua me 4.8%, rreth 1.15 pikë përqindjeje mbi mesataren rajonale.

Ecuria e mirë e ekonomisë në shifra befason gjithnjë dhe Menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas. “2023 ishte shumë më mirë sesa prisnim. Ky është një nga ato raste kur jam shumë i lumtur që gabova”, thotë ai në një intervistë të posaçme për “Monitor”.

Problemi real, në fakt, është cilësia e rritjes ekonomike, që po përjeton vendi.

“Ndërtimi dhe konsumi kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e Shqipërisë në vitet e fundit. Jam i dyzuar për këtë tendencë.

Në një anë po, është mirë të ketë rritje, por është e qartë se këta sektorë nuk janë domosdoshmërisht ata që duhet të orientojnë rritjen që Shqipëria do të ketë në bazë afatgjatë – dhe sigurisht ata nuk gjenerojnë vendet e mira të punës, për të cilat aspirojnë njerëzit”, pohon z. Salinas.

Modeli aktual i rritjes ekonomike nuk entuziazmon as FMN-në. “Shqipëria duhet të fokusohet në krijimin e një mjedisi të shëndoshë biznesi, që do të nxiste zhvillimin e prodhimit me vlerë më të lartë të shtuar dhe do të rriste produktivitetin.

Zbatimi i reformave strukturore për të forcuar qeverisjen, kapitalin njerëzor dhe konkurrencën, si dhe përmirësimi i infrastrukturës, do të ndihmonte Shqipërinë të tërheqë më shumë investime të huaja dhe të integrohej më shumë në zinxhirët e vlerës globale”, thotë Anke Weber, shefe e misionit në Shqipëri e FMN-së, në një intervistë për “Monitor”.

Shifrat nuk kanë “gënjyer” asnjë pjesë të rëndësishme të forcës së punës, që në mungesë të alternativave më të mira të punësimit apo perspektivës e ka gjetur zgjidhjen në emigracion, duke u kthyer gradualisht në një problem madhor të ekonomisë shqiptare, që nuk duket se po gjen zgjidhje.

“Frenimi i emigracionit duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale, nëpërmjet tërheqjes së më shumë Investimeve të Huaja Direkte në sektorë prodhues dhe shërbimesh me punë më produktive dhe me pagë më të mirë, duke krijuar më shumë mundësi pune për gratë, të rinjtë dhe njerëzit me disavantazhe, si dhe të përmirësojë cilësinë e arsimit”, thotë znj. Ekaterina Solovova, drejtuese për Shqipërinë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në një intervistë për “Monitor”.

Të dhënat e 9-mujorit 2023 të INSTAT tregojnë se ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë udhëhequr rritjen ekonomike në T I dhe T II dhe u renditën të dytët dhe të tretën në T III, pas administratës publike (e ndikuar nga rritja e pagave).

Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, që janë të lidhura direkt me ndërtimin dhanë një kontribut modest, ndërsa bujqësia dhe industria në pjesën më të madhe kishin efekt negativ.

Praktikisht, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë ndikuar në gati gjysmën e rritjes për 9 mujorin, tregues i varësisë së lartë të vendit nga një model zhvillimi i paqëndrueshëm dhe vlerë të shtuar të ulët.

PENGESAT

Ambienti me interesa të larta nuk pritet të jetë shumë favorizues. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se do të vijojë të mbajë një politikë të shtrënguar monetare, ndonëse me intensitet më të ulët se më parë. Norma bazë ka arritur në 3.25%, ndërsa FMN ka kërkuar që të arrijë deri në 4.5%.

Inflacioni, që u rrit më pak se mesatarja e BE-së në fillim të krizës së çmimeve, tashmë është rreth 4%, dy herë më i lartë se në BE, për shkak të problemeve të brendshme, kryesisht nga kostot e larta të prodhimeve bujqësore.

FMN parashikon që inflacioni do të arrijë objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% në fillim të vitit 2025. “Ka pasiguri rreth tendencës së inflacionit dhe koha dhe madhësia e këtyre rritjeve duhet të jenë fleksibël dhe të orientuara nga të dhënat, duke marrë në konsideratë perspektivën e përgjithshme makroekonomike”, thotë FMN.

Ndryshimet klimatike janë një tjetër faktor pengues afatgjatë. Ngrohja globale po nxit një seri ngjarjesh jonormale, të cilat ndonëse priteshin, ishin abstrakte, deri kur arritën në një pikë që filluan të ishin të dukshme nga bujqësia, të cilat po ndikohen negativisht nga përmbytjet tek energjia.

Edhe sektorë të tjerë po i ndiejnë pasojat, si fasoni (për shkak të motit të ngrohtë ka ndryshuar kërkesa për veshje, duke krijuar stok për veshjet e dimrit), prodhimi i verës etj. Vendi nuk është ende i përgatitur për t’u përballur me këtë proces.

Problematika e gjetjes së fuqisë punëtore dhe presioni i pagave. Mungesa e fuqisë punëtore, kryesisht rrjedhojë e emigracionit të lartë po kthehet në një problem real për bizneset, duke penguar planet e tyre për investime. Salinas i Bankës Botërore thotë se teksa humbja e kapitalit njerëzor është një rrezik kritik për Shqipërinë.

Për të frenuar largimin e punonjësve bizneset u detyruan të rrisnin pagat e punonjësve, të nxituar dhe nga lëvizjet e qeverisë për pagat e administratës.

Por, dhe hapësira për rritjen e pagave, që nuk u shoqërua me shtim të produktivitetit, duket se është ezauruar.

Erald Pashaj, Administrator i EPPC Albania & Kosovo, kompani me aktivitet në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të stafit, pohon se ritmi i rritjes do të bjerë.

“Bazuar në analizën që kemi bërë në zyrën tonë, në gjashtë muajt e fundit të 2023, por edhe në rritjet e parashikuara të bizneseve që janë klientët tanë, mund të themi që rritja në vitin 2024 do të jetë në harkun 4% – 8%”, pohon ai.

NGA DO TË VIJË RRITJA NË 2024-n

Institucionet ndërkombëtare presin që rritja të jetë e moderuar edhe këtë vit. Si FMN, ashtu dhe BERZH, parashikojnë që zgjerimi i ekonomisë do të jetë në rreth 3.3% në 2024.

Konsumi i frenuar nga çmimet e larta dhe politika ende e shtrënguar monetare që pret të mbajë Banka e Shqipërisë janë dy faktorë që veprojnë kundër, ndërsa turizmi do të vijojë të ndikojë pozitivisht.

Shpejtësia e rritjes pritet të jetë e ndryshme, në varësi të sektorëve dhe faktorëve specifikë që mund të ndikojnë pozitivisht, apo negativisht.

Bujqësia në territor negativ

Bujqësia, e cila vijon të ketë peshën kryesore në aktivitetin ekonomik, do të vazhdojë të përballet me shumë të papritura, si kapriçot e motit, apo shtimi i kostove. Më pozitive është perspektiva për prodhimet e perimeve dhe serrat, që ndikohen pozitivisht nga kërkesa e lartë në tregjet ndërkombëtare.

Për blegtorinë, situata është krejt e kundërt. Prej disa vitesh, ky sektor po njeh vetëm rënie, si rrjedhojë e emigracionit dhe rritjes së kostove, duke ndikuar negativisht dhe industritë e lidhura me të, si përpunimi i qumështit, duke i lënë terren importit.

Bujqësia është i vetmi sektor që ka qenë në territor negativ në tre vitet e fundit, ndonëse ka peshën më të lartë në ekonomi, në rreth 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Prej vitesh, sektori nuk ka arritur të bëhet konkurrues, si rrjedhojë e problemeve strukturore, si mungesa e ekonomisë së shkallës, ndërsa vitet e fundit po vuan nga rritja e kostove dhe sidomos emigracioni i lartë që po lë fermat dhe ekonomitë lokale pa punonjës.

Paradoksi i turizmit të lartë dhe efektit zhgënjyes në ekonomi

Shqipëria përjetoi në 2023-shin vitin më të mirë historik të saj, duke kaluar për herë të parë shifrën e 10 milionë shtetasve të huaj që hynë në vend. Në kontrast, efekti në ekonomi ishte shumë më i ulët në krahasim me atë që pritej.

Aktiviteti i “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që kontribuon në rreth 17% të ekonomisë (i dyti pas bujqësisë) dhe normalisht duhet të reflektonte efektin e konsumit të shtuar nga turizmi, u rrit me vetëm 0.77% në tremujorin e tretë 2023, kur kulmon turizmi, nga 9.92% në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Kjo ishte dhe ecuria më e ulët që nga tremujori i katërt i 2020-s, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë./ Monitor

Të fundit