Flash News

E-TJERA

Plagosi kreun e Bashkisë së Divjakës në 2022, Prokuroria mbyll hetimet për Orges Xhelilin

Plagosi kreun e Bashkisë së Divjakës në 2022, Prokuroria
Orges Xhelili dhe Fredi Kokoneshi

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet për Orges Xhelilin i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” ndaj kryebashkiakut të Divjakës Fredi Kokoneshi.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal Nr.694, viti 2022, ka dërguar në gjyq të pandehurin O. Xh., i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79/a e 22, 88/1 dhe 279/2 të Kodit Penal.

Ky shtetas, për motive të dobëta ka goditur me armë të ftohtë ish-Kryetarin e Bashkisë Divjakë shtetasin F.K, duke i sjellë dëmtime që kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit.

I pandehuri O. Xh, në të njëjtën kohë ka goditur shtetasin G.B., (shoferi i shtetasit F.K), i cili ka ndërhyrë për të ndaluar sulmin dhe nga goditja ai ka marrë dëmtime të cilat kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se kreu i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi u plagos me thikë bashkë me shoferin e tij më 11 nëntor 2022, pas një debati me punonjësin e bashkisë Orges Xhelilin.

Ai kishte dalë për inspektim në një nga banesat pranë bashkisë së Divjakës në momentin që është konfliktuar me Xhelilin.

Xhelili iu afrua duke e fyer, ndërsa më pas debati mes tyre ka degraduar në përdorimin e thikës nga ana e autorit. Me agresorin fillimisht është përleshur shoferi Gazmend Bullari për të mbrojtur kryebashkiakun, ndërsa të dy morën plagë në trup.

 

 

Të fundit