Flash News

E-TJERA

Plagosja me armë në Borsh, arrestohet autori i dyshuar

 Plagosja me armë në Borsh, arrestohet autori i dyshuar

Vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri mëngjesin e djeshëm në Borsh.

Policia njoftoi sot se për ngjarjen ku mbeti i plagosur Erlad Shullazi, 33 vjeç, u shpall në kërkim edhe një person i dytë. 

Policia ka sekuestruar prova materiale në vendngjarje dhe vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.

"Më datë 31.07.2025, rreth orës 02:20, në një lokal në fshatin Borsh, Himarë, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se është përfshirë në një konflikt fizik, për motive të dobëta, gjatë të cilit është goditur me grushte nga shtetasi E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Pas këtij momenti, shtetasi H. Ç. është larguar nga ambientet e lokalit dhe është rikthyer me një armë zjarri automatik, me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur në shpatull dhe në këmbë. Ky shtetas ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi H. Ç. ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. Ç., për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe shtetasi E. V., për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë.


Vijon puna për për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur në këtë ngjarje si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në konflikt", njofton policia. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Të fundit