Flash News

E-TJERA

Policia reagon për Alqi Bllakon dhe 'rrëzon' dyshimet për arratisje: Është vetëdorëzuar mbrëmjen e djeshme

Policia reagon për Alqi Bllakon dhe 'rrëzon' dyshimet

Policia e Shtetit ka njoftuar se ish-deputeti socialist Alqi Bllako është vetëdorëzuar mbrëmjen e djeshme. Policia hesh poshtë lajmet që qarkulluan dje në media se Bllako ishte arratisur, ndërsa shton se ndodhet në Drejtorinë e Policisë.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.

Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë "Arrest në burg", lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e saj.

Për arrestimin e Alqi Bllakos dje qarkulluan disa informacione. Fillimisht u tha se ishte vetëdorëzuar, më pas se ishte shoqëruar nga policia, ndërsa më vonë dolën lajme se uniformat blu nuk e kishin gjetur në banesë.

GJKKO pranoi dje kërkesën e SPAK-ut dhe caktoi masën e arrestit me burg për ish-deputetin. Dyshohet se ai është i përfshirë në aferën korruptive të inceneratorëve pas operacionit të SPAK.

Sipas SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 140 milionë lekë të vjetra nga pronari i inceneratorit të Fierit përmes skemave fiktive. Prokuroria e Posaçme kërkoi autorizim nga Kuvendi për arrestimin e tij. Abuzimet ai i ka kryer në kohën kur ishte Sekretar në Ministrinë e Mjedisit. Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Bllako dha dorëheqjen nga mandati i deputetit socialist. Përmes një letre dërguar Kuvendit, Bllako ka nënvizuar se mandatin e ka dorëzuar me vullnet të plotë dhe me bindjen se në përfundim të procesit gjyqësor do të dëshmojë pafajësinë për akuzat e ngritura.

Të fundit