Flash News

E-TJERA

Politika uron Krishtlindjet, mesazhet e Metës, Ramës dhe Bashës

Politika uron Krishtlindjet, mesazhet e Metës, Ramës dhe Bashës
Foto Ilustruese

Në këtë ditë shumë të rëndësishme për besimtarët e krishterë, nuk kanë munguar as mesazhet e urimit nga politika shqiptare. Presidenti i Republikës Ilir Meta përmes një postimi në Facebook, ka uruar të gjithë besimtarët, ndërsa kërkoi që ky moment të shërbejë si reflektim për të forcuar solidaritetin dhe për të rikthyer shpresën te të rinjtë.

“Krishtlindja, është një ditë e veçantë, e shënuar për besimtarët e krishterë dhe një festë e bukur për mbarë popullin shqiptar.

Le t’i gëzohemi afërsisë, ngrohtësisë dhe atmosferës së mrekullueshme familjare, që krijon Krishtlindja, për të ndarë me të dashurit tanë urime zemre, që burojnë nga shpirti, në veçanti për më shumë shëndet, lumturi, mirëqenie e begati.

Për shkak të pandemisë COVID-19, festimet tona këtë vit nuk janë aspak ato që do kishim dashur të ndodhnin.

Mendimet dhe lutjet tona në këtë vigjilje Krishtlindje shkojnë në radhë të parë për ata, të cilët kjo fatkeqësi e rëndë i ndau përgjithmonë nga familja, të afërmit dhe të dashurit e tyre!

Është jetësore, që secili prej nesh, të marrë përgjegjësi të lartë personale dhe njerëzore, që këtë Krishtlindje, të kufizojë veprimet që mund të përhapin COVID-19, duke qëndruar në shtëpi, si rruga më e mirë për t’ju shprehur dashurinë më të shtrenjtëve tuaj.

Qëndroni në shtëpi këtë Krishtlindje!

Qëndroni pranë familjes tuaj!

Kjo është sot forma më e lartë e shprehjes së dashurisë për jetën, të afërmit dhe për miqtë tuaj.

E di që nuk është e lehtë, ndaj kërkohet solidaritet e mirëkuptim nga të gjithë, për të pranuar këtë realitet të ri, në jetët tona.

Urimet e mia më të ngrohta, për shëndet të plotë dhe jetë të gjatë, shkojnë sot për të gjithë të prekurit nga COVID-19, veçanërisht për të shtruarit në spitale, që këtë Krishtlindje do ta festojnë larg të afërmve të tyre.

Nuk duhet të ndiheni vetëm!

Konsiderojini mjekët dhe infermierët, familjarët tuaj, sepse janë ata që kujdesen çdo ditë për shëndetin Tuaj.

Kjo është një sprovë, që duhet ta kaloni me guxim e kurajë, në emër të jetës dhe familjes tuaj.

Një urimi zemre kam për të gjithë punonjësit e sistemit të shëndetësisë, për mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, në vijën e parë të përballjes me COVID-19, duke i falenderuar njëkohësisht për sakrificat, përkushtimin, qëndresën dhe forcën, që po na dëshmojnë çdo ditë në këtë luftë aspak të lehtë.

Gëzuar të gjithë nëpunësve publikë, të cilët këtë Krishtlindje nuk do të jenë pranë familjeve të tyre, por në shërbimin tonë.

Le të shërbejë kjo Krishtlindje për të gjithë ne, si një moment reflektimi, për të forcuar solidaritetin, humanizmin dhe dhembshurinë, në veçanti ndaj të moshuarve, të vetmuarve dhe njerëzve në nevojë, si dhe të rikthejmë shpresën tek të rejat dhe të rinjtë e mrekullueshëm, për të mos ta braktisur më Atdheun tonë, për mungesë besimi dhe mundësish.

Me shumë dashuri, përulësi, pa egoizëm dhe arrogancë acaruese, pa lakmi, zhurmë dhe fjalë të kota, t’u shërbejmë qytetarëve dhe të transmetojmë mirësi e shërbim nga njëri tek tjetri, në të gjithë shoqërinë dhe Shqipërinë tonë të dashur, familjen tonë të përbashkët.

Urim të veçantë kam sigurisht për yjet më të bukur dhe të shndritshëm të kësaj Krishtlindje, fëmijët, veçanërisht ata të cilët lindin këtë vigjilje, si dhe për prindërit e tyre të mrekullueshëm, që sot festojnë disafish më shumë se ne”, thotë Meta.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët me një foto të shpërndarë në profilin e tij zyrtar.

Politika uron Krishtlindjet, mesazhet e Metës, Ramës dhe Bashës

Duke vënë theksin te vështirësitë e këtij vitit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha uron Krishtlindjet për të gjithë besimtarët.

“Të dashur besimtarë të krishterë, ju uroj nga zemra Krishtlindje të Gëzuara!

Kjo Krishtlindje nuk është e zakonshme. Gjatë këtij viti kemi kaluar vështirësi të mëdha, kemi përjetuar dhimbje dhe ndarje fizike dhe kemi ndjerë mall për më të dashurit tanë. Por në të njëjtën kohë, kemi patur mundësi të shohim më qartë ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndryshuar realitetin tonë.

Le të shohim me shpresë përpara, sepse siç thuhet edhe në librat e shenjtë, pas errësirës vjen drita. Si një familje e madhe të ndërtojmë me dhembshuri dhe kujdes për njëri-tjetrin të sotmen dhe të nesërmen tonë.

Gëzimi i kësaj nate i mbushtë zemrat tuaja e Zoti na udhëheqtë drejt së nesërmes më të mirë e më të begatë për të gjithë shqiptarët. Gëzuar dhe Krishtlindje të bekuara”, shkruan Basha në Facebook.

Ndërkohë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte e pranishme dje meshën që u mbajt në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë. Kryemadhi ishte e shoqëruar nga vajza e saj dhe ish-deputetja Nora Malaj.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përmes një mesazhi ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe të gjithë shqiptarët. Ruçi shprehet se festa e Krishtlindjeve është çasti i duhur për të na nxitur drejt idealeve e modeleve më të mira që aspirojmë në jetët tona: mendjehapjes e bujarisë, afeksionit dhe vetëpërmbajtjes, largimit prej veseve dhe afrimit me virtytet.

 

 

Të fundit