Flash News

E-TJERA

Pro dhe kundër legalizimit të kanabisit/ Eksperti i ekonomisë: Do t’u shërbejë oligarkëve, qeveria po kërkon të mbushë arkën

Pro dhe kundër legalizimit të kanabisit/ Eksperti i ekonomisë: Do

Eksperti i çështjeve ekonomike, Zef Preçi, është kundër nismës së qeverisë për lejimin e kultivimit të kanabisit për çështje mjekësore në vend, që e cilëson një tentativë për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se Shqipëria është vite-drite larg krijimit të kushteve për kultivimin e kontrolluar të kanabisit.

“Unë jam kundër lejimit të kultivimit të kanabisit dhe nismës së qeverisë. Sa herë që për shkak të keqqeverisjes së brendshme dhe të krizës ekonomike globale qeveria është në nevojë për para shtesë në buxhet. Edhe pse kanabisi mjekësor është i lejuar në shkallë të vogël dhe në mënyrë te kontrolluar në mjaft vende të botës, duhet të kuptojmë të gjithë se behët fjalë për shtete funksionale, me nivel minimal të informalitetit në ekonomi, me sundim të ligjit dhe ndarje të qartë rolesh midis Policisë, ushtrisë dhe biznesit në prodhimin, përpunimin, licencimin dhe mbikëqyrjen e laboratorëve etj., për të cilat vendi ynë është vite-drite larg, të paktën në stadin e sotëm të zhvillimit institucional e qeverisës të tij. Natyrisht që do të jetë mirë për vendimmarrësit, ligjbërësit dhe patronazhistët e preferuar të tyre të shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë territorin e vendit, por që gjithsesi ata janë dhe mbeten një pakicë”, thotë Preçi.

Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, kultivimi i kanabisit do të sjellë shkatërrim të bujqësisë dhe do të nxisë shpopullimin e shqiptarëve. Sipas tij, kjo do të zgjerojë pabarazinë sociale dhe nxisë qytetarët të braktisin vendin.

“Nëse kjo nismë do të marrë jetë këtu te ne ashtu siç është nisur, harrojeni përgjithmonë bujqësinë dhe blegtorinë, e bashkë me të do të marrë një hov të ri edhe braktisja e vendit dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës në të – edhe kështu siç është sot – mjaft problematike dhe kërcënuese për shumicën e familjeve shqiptare. Sipas mendimit tim, qeveria në vend që të shqetësohet për zvogëlimin mesatarisht 20 për qind të numrit të lopëve, deleve e dhive gjatë dekadës së fundit, sipas INSTAT; për mbetjen të pandryshuar të rendimenteve të prodhimit për krerë apo për hektarë toke bujqësore për shkak të mungesës së mbështetjes shtetërore për fermerin që politikanët e takojnë vetëm në muajin para zgjedhjeve; z. Rama dhe qeveria e tij shqetësohen për kanabisin mjekësor. Shqetësim serioz për qeverinë duhej të ishte rritja e pajustifikuar e çmimeve të produkteve bujqësore e blegtorale në kushtet kur bëhet thirrje për ‘Open Balkan’, pra për një hapje të mëtejshme të tregjeve në rajon dhe heqjen e barrierave që ndryshe përkthehet në sfida të tjera për fermerin e braktisur”, thotë Preçi.

Për ekspertin, qeveria e ka ndërmarrë këtë nismë për të mbuluar largimin e saj nga roli dhe detyra kushtetuese, ndërsa thekson se edhe roli i Kuvendit është larg institucionit që mbikëqyr si duhet qeverinë.

“Nëse e shohim nga pozicioni i interesit publik, së pari, mendoj se më e pakta që mund të thuhet është se kjo nismë mbivendoset me disa shërbime që kryejnë aktualisht aktorët e shoqërisë civile, d.m.th. qeveria del në pozicionin e një organizate joqeveritare. Ky lloj ‘konsultimi’, së bashku me një numër agjencish të krijuara gjatë vitit të fundit, duket se po e zhvendos vëmendjen e qeverisë dhe të institucioneve vartëse të saj në fushën e propagandës së pastër elektorale. Ajo po krijon kanale të tjera të reja të komunikimit të papërdorura më parë, që në thelb nuk çojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, që sipas ligjit, duhet të ofrojë qeveria.

Kjo të krijon përshtypjen – tashmë jo edhe aq subjektive – të një fushate zgjedhore permanente nga ana e qeverisë, por njëkohësisht edhe një largim përherë e më tepër nga funksionet kushtetuese dhe ligjore të saj. E kjo ndodh në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë është larg të qenët i tillë, pra një organ që mbikëqyr qeverinë dhe garanton qytetarët, votuesit e taksapaguesit pa dallim bindjeje partiake e statusi social-ekonomik mbi legjitimitetin e veprimtarisë së saj”, thotë Preçi.

Eksperti Preçi mendon se një nga faktorët që mund ta kenë nxitur qeverinë ta vendosë këtë çështje në konsultim publik me qytetarët është edhe ndikimi i lobit të fuqishëm dhe biznesit klientelist të lidhur me qeverinë. “Një faktor tjetër, në mos më i rëndësishmi në shtrimin nga qeveria të këtij problemi, mbetet ndikimi në rritje i disa lobeve të biznesit, klientë të qeverisë, oligarkëve përfitues të fondeve publike dhe pasanikeve të krimit të organizuar, që edhe aktualisht janë ‘aksionerë’ në aktivitetin e kanabizimit të vendit prej 5-6 vitesh. Mbase, me siguri, tashmë këtu janë gati të licencuara kompanitë dhe ‘presta nome’-t që do ta ‘zhvillojnë’ këtë biznes siç ‘zhvilluan’ inceneratorët, kontratat PPP etj.

Natyrisht që një grup plotësues i interesuar për sigurimin e mbështetjes publike përmes nismës së konsultimit publik nga qeveria rreth kësaj çështjeje përbëjnë edhe zyrtarë të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, pushtetit vendor, deputetë të Kuvendit, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të lidhur me të ardhurat kolosale që rregullisht sjell për ta ky sektor. Përfshirja e lobeve të biznesit, oligarkëve dhe pasanikeve të krimit të organizuar duket se është tejet serioze kësaj radhe, veçanërisht nëse marrim parasysh se kjo nismë hidhet në treg mbas ‘dështimit me sukses të nismës për amnistinë e përgjithshme’, amnisti që për hir të së vërtetës po ndodh para syve tanë dhe ditë pas dite”, thotë Preçi./ Panorama.al

Të fundit