Flash News

E-TJERA

Protesta për vrasjen e 25 vjeçarit, babai i prekur: Shteti të bëjë punën e vet, të japë drejtësi! I shërbej familjes, jo politikës

Protesta për vrasjen e 25 vjeçarit, babai i prekur: Shteti të
Në foto: Qazim Rasha

Babai i 25-vjeçarit, Klodian Rasha, i cili mbeti i vrarë pas thyerjes së orës policore, ka falenderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë ndaj tij pas humbjes së djalit, duke uruar që “mos e kalofshin kurrë të njëjtën situatë në familjet e tyre”.

Qazim Rasha ka kërkuar drejtësi për humbjen e djalit të tij, duke i kërkuar shtetit të bëjë detyrën.

"Shteti të bëjë detyrën që i takon. Kërkojmë drejtësi. Atë që është për çdo njeri, qytetar, shqiptar, të ri, të moshuar, kërkoj që secili të gëzojë të drejtën dhe të gjejë atë shpresën te shteti, te ligji, te rregulli, te ajo që është e mira për të gjithë, që ti shërbejë, qoftë fëmijës, të rriturit, të moshuarit, që të kemi shpresë, të kemi të ardhme, që rinia të shkëlqejë, të eci përpara, të gëzojë një ditë të re", ka thënë ai.

I prekur tej mase nga humbja e djalit, Qazim Rasha u shpreh se nuk i shërben politikës por familjes së tij, çka lë të kuptohet se nuk pajtohet aspak me përdorimin politik të ngjarjes.

“Mendoj se vendi është ky, duhet ta ndërtojmë, ngremë, ta rrisim, ta mbështesim të gjithë. Si puna e djalit tim jeni edhe ju të të gjithë, të gjithë mendoni si puna ime, kush është prind e di peshën pak më mirë. Nuk më vjen mirë me dhënë intervista, nuk i shërbej asnjë lloj politike, por familjes sime, ke familja jam i detyruar me i thënë këto për hir të fëmijës që sot e varrosa. Ashtu siç mendoj unë mendojnë të gjithë.

Shteti të bëjë punën e vet, të japë drejtësi, fajtori të shkojë në vendin që meriton dhe ne të kemi një fije shpresë dhe mbështetje, dhe të mendojmë se kemi një të ardhme në vend dhe të rrisim fëmijët pa ndrojtje, apo frikë, që të mos ketë frikë të dalë te rruga dhe të kthehet dhe të vijë në këtë gjendje që erdhi i imi. Kjo mos i raftë askujt, nuk ia dëshiroj askujt, ishalla Shqipëria, dita që vjen dot ë bëhet më mirë", ka thënë ai.

Kujtojmë se, mbrëmjen e djeshme pas disa orësh proteste para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, qindra protestues thyen orën policore duke marshuar rreth mesnatës drejt banesës së 25-vjeçarit Klodian Rasha, që u vra nga policia.

Të fundit