Flash News

E-TJERA

Protestë para Bashkisë Durrës kundër projektit TID, banorët kërkojnë dialog dhe transparencë

Protestë para Bashkisë Durrës kundër projektit TID,

Grupimi Qytetar kundër Projektit TID Durrës zhvilloi këtë të enjte protestën e radhës para Bashkisë së Durrësit, duke kërkuar hapjen e një tryeze bashkëbisedimi me institucionet vendore për projektin që prek zonën historike të qytetit.

Anëtarë të familjeve që preken drejtpërdrejt nga prishja e banesave dhe bizneseve kërkuan nga bashkia të ulet në dialog me ta, në përputhje edhe me rekomandimin e bërë nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), gjatë takimit të zhvilluar me banorët më 19 janar. Sipas tyre, çdo vendimmarrje e mëtejshme pa konsultim përbën shkelje të parimeve të transparencës dhe të drejtës së pronës.

Banorët shprehën kundërshtinë e tyre ndaj alternativave që, sipas tyre, po propozon bashkia për sistemim në banesa sociale, duke theksuar se këto zgjidhje nuk përmbushin nevojat dhe nuk respektojnë statusin e pronave të tyre në një zonë me vlera historike dhe ekonomike.

Protestës së sotme iu bashkuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, mes tyre deputeti Igli Cara dhe kryetari i degës lokale të PD-së, Ardian Muka. Në një prononcim për mediat, deputeti Cara kritikoi ashpër heshtjen e Bashkisë së Durrësit ndaj kërkesave të banorëve dhe e cilësoi projektin TID si një nismë korruptive, të zhvilluar nga institucionet shqiptare në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Sipas tij, mungesa e dialogut dhe transparencës në një projekt që prek dhjetëra familje dhe biznese është e papranueshme dhe kërkon ndërhyrje institucionale.

 

Të fundit