Flash News

E-TJERA

Pse Rruga e Arbrit është kthyer për Ramën në një ‘déjà vu’?

Pse Rruga e Arbrit është kthyer për Ramën në një

Premtimet e kryeministrit Rama janë kthyer në modë, ashtu sikurse edhe afatet që qeveria përcakton për tenderat dhe koncesionet, të cilat përfundojnë pas 2, 3 apo më shumë vitesh.

Në një takim me banorë në Dibër, Rama dha një tjetër lajm 'të gëzueshëm' për të: hapjen e segmentit të Planit të Bardhë, pjesë e Rrugës së Arbrit.

"Pengesa e fundit që na ka mbetur janë 300 m në tunelin e Murrizit. Gjeologjia na doli kundër dhe duhet të ecim avash, por ecim përditë dhe besoj se vitin e ri do ta kemi edhe tunelin e Murrizit të hapur. Nuk po them më përpara, se do bëjmë çmos që të jetë edhe më përpara, po të paktën besoj që këtë vit do mbarojë edhe historia 100 e kusurvjeçare e Rrugës së Arbrit dhe të gjithë do kenë arsye për të kuptuar se nuk janë të gjithë njësoj", deklaroi Rama.

Mirëpo, teksa kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi fliste nga Dibra për investimet krah Ramës, kryeministri e ndërpreu duke i thënë të mos caktonte afate, si për të konfirmuar që e kishin ‘djallosur’ me premtimet e vazhdueshme, që rezultonin pa sukses.

E Dibra ndoshta, mund t'i sillte në mendje Ramës si ‘déjà vu’ vizitat e tjera, me shumë premtime, por që nuk e shtruan dot deri në fund asfaltin e Rrugës së Arbrit.

Edi Rama, 16 dhjetor 2014

“U nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës do të jetë Rruga e Arbërit, e cila do të nise vitin e ardhshëm”.

Edi Rama, 12 Nëntor 2017

“Rruga e sotme që u prezantua dhe që do fillojë nga puna na jep mundësinë që brenda një harku kohor, që është brenda këtij mandati nuk diskutohet, por që ne besojmë se do të jetë vetëm 3 vjet, ta kemi të përfunduar njëherë e mirë këtë rrugë që është një ëndërr 30 x (shumëzim) shtojeni vetë sa vjet e parealizuar, e gjithë kësaj zone”.

Edi Rama, 31 Gusht 2019

“Atë që shteti mund ta bënte për 13 vjet (sepse ka edhe shume e shumë gjëra të tjera për të bërë dhe s’’mund t’i hedhë tërë ato fonde në gjë të vetme), investimi i kapitalit privat e bën për 3 vjet, në marrëveshje me shtetin, që garanton shlyerjen e investimit”.

Edi Rama nëntor 2020

“Me këtë xhiro nëpër shtratin e hapur të Rrugës së Arbërit, që në verën e ardhshme do të jetë një ëndërr shumëvjeçare e realizuar për dibranët, e do të zbulojë për tiranasit hapësirat magjike të jastëkut të gjelbër të kryeqytetit që shtrihet deri pranë Dibrës, ju uroj një javë të mbarë”.

Për çdo fushatë, Rama del e trumbeton një projekt, njerëzit i turren pas, e duartrokasin, e presin me valle e këngë, e në fund lideri i tyre ikën.Po vetëm kaq. Projekti mbetet në letër dhe afati po ashtu.

Të fundit