Flash News

E-TJERA

Qeveria depoziton 'buxhetin 2022' në Kuvend/ Parashikohet rritje pagash për disa kategori, defiçiti mbi 100 mld lekë

Qeveria depoziton 'buxhetin 2022' në Kuvend/ Parashikohet rritje

Qeveria ka depozituar ditën e sotme projektligjin për buxhetin e vitit 2022 në Kuvend. Ajo ka parashikuar të shpenzojë rreth 637 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat janë  536 miliard lekë. Pra llogaritet që defiçiti buxhetor të jetë mbi 100 miliardë lekë.

Ky defiçit do të mbulohet duke marrë borxh nga institucionet financiare ndërkombëtare. Në buxhetin e vitit të ardhshëm është përfshirë rritja e pagave.

Kjo e fundit përllogaritet me një kosto shtesë prej 2.4 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale për pagat e administratës publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së.

Qeveria ka vendosur të rrisë me 10%  ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Ndësa ato familje që marrin asistencë e që kanë më shumë se tre fëmijë nën moshën 18-vjeç do iu dyfishohet.

Mbështetja ekonomike do të dyfishohet dhe për fëmijët jetim, gratë e trafikuara dhe të dhunuara. Qeveria ka vendosur të rrisë me 6% pagat për mjekët, infermierët, mësuesit dhe punonjësit psikosocialë. Rritja do të ndodhë duke nisur nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.

Gjithashtu është parashikuar që pagat të rriten dhe për punonjësit e Policisë së Burgjeve në bazë të funksionit dhe gradës që kanë. Tjetër kategori që përfiton është ajo e efektivëve të Policisë së Shtetit që punojnë larg vendbanimeve të tyre. Në buxhet është përfshirë dhe një fond shtesë si mbështetje ndaj bashkive të vendit për të trajtuar mbetjet.  

Të fundit