E-TJERA

Shtrëngohen masat anti-COVID, Ekspertët: Universitet nisin online, mbyllen konviktet dhe baret e ‘Bllokut’ pas orës 22:00

Shtrëngohen masat anti-COVID, Ekspertët: Universitet nisin online,
Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur për të diskutuar situatën pandemike, pas rritjes së numrit të të infektuarve në 2 javët e fundit. Përmes një deklarate për mediat, kryetarja e këtij komuniteti, Mira Rakacolli, ka njoftuar masat e reja shtesë që do të vihen në zbatim për të ulur ‘hovin’ e pandemisë.

Sipas Rakacollit, pas shqyrtimit të situatës Komiteti ka marrë vendimin për zhvillimin e mësimit online për një muaj në universitete, konviktet janë të mbyllura dhe se po diskutohet mbyllja e bareve dhe restoranteve pas orës 22:00 në zonën e ‘Bllokut’ në Tiranë, pasi shihen si vatra rreziku për përhapjen e COVID-19.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, po ashtu, ju ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID-19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit.

"Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë, Komiteti Teknik i Eksperteve ka analizuar situaten dhe risqet. Ne kemi vleresuar situaten në rajon dhe Europë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën ne dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë.

Njëkohesisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës.

Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht jane rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e te cilave jane perqendruar ne Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura.

Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojme mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve", tha Rakacolli.

Ditari politik

Të fundit