Flash News

E-TJERA

Raporti për lirinë ekonomike, Meta: Është urgjente çkapja e Qeverisë dhe e pushtetit gjyqësor nga oligarkët dhe interesat okulte

Raporti për lirinë ekonomike, Meta: Është urgjente

Shqipëria vazhdon rënien në renditjen për lirinë ekonomike, sipas një raporti të publikuar nga fondacioni "Heritage". Vendi ynë renditet i 66-ti në botë, duke zbritur me 9 vende nga një vit më parë ku renditeshim në vendin e 57-të, ndërs dy vite më parë pozicionoheshim në vendin e 52.

Lidhur me këtë raport ka ardhur një reagim dhe nga presidenti Ilir Meta ku shprehet se kjo rënie është pasojë e drejtpërdrejtë e cenimit brutal të të drejtave të pronësisë dhe mosfunksionimit të sistemit gjyqësor.

Në një postim në rrjete sociale, kreu i shtetit shton se ky raport konfirmon qëndrimet e tij publike dhe sipas tij  është urgjente çkapja e shtetit, Kuvendit, Qeverisë dhe e pushtetit gjyqësor nga oligarkët dhe interesat okulte.

"Shqipëria, sipas raportit të fondacionit prestigjoz botëror “Heritage”, ka rënë nëntë vende më poshtë në renditjen për lirinë ekonomike, krahasuar me një vit më parë.
Kjo rrëshqitje e frikshme në pikiatë e lirisë ekonomike, është pasojë e drejtpërdrejtë e cenimit brutal të të drejtave të pronësisë dhe mosfunksionimit të sistemit gjyqësor.
Ky raport thellësisht negativ konfirmon qëndrimet e vazhdueshme publike, që kam shprehur edhe me dekrete, në mbrojtje të konkurrencës së lirë.
Ndaj është urgjente çkapja e shtetit, Kuvendit, Qeverisë dhe e pushtetit gjyqësor nga oligarkët dhe interesat okulte.
Referendumi i 25 prillit është një mundësi historike për të nxjerrë nga “intubimi” edhe lirinë ekonomike, krahas të gjitha lirive të tjera, që gëzojnë qytetarët në një vend plotësisht europian." shkruan Meta.

Të fundit