Flash News

E-TJERA

Rekrutimi i një vrasësi

Rekrutimi i një vrasësi

“Laerti kishte nevojë për vrasës…” Kjo fjali, e thënë në sallën e gjyqit nga Artan Tafani, duket sikur përmbledh gjithë rrugëtimin e tij në një botë ku viktimat ndiqeshin, identifikoheshin dhe më pas ekzekutoheshin, ndërsa urdhrat thjesht zbatoheshin.

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tafani u paraqit si i penduar i drejtësisë, ndërsa në kuadër të hetimeve Prokuroria ka ngritur akuza për një grup të strukturuar kriminal i cili dyshohet se drejtohej nga Laert Haxhiu.

I penduari i tregoi se gjithçka filloi pas një periudhe të shkurtër lirie, kur përmes njohjeve të vjetra u përfshi në kontakte me njerëz që nuk i njihte mirë. Në fillim, siç tha vetë, gjithçka dukej e paqartë. Takime të shkurtra, biseda të nënkuptuara, dhe një ndjesi e vazhdueshme se askush nuk fliste hapur.

Tafani dëshmoi pas një dënimi për vjedhje banke, kur ndodhej në paraburgim dhe aty, sipas tij, u krijuan lidhjet e para me njerëz që do ta çonin drejt Laert Haxhiut.

Në qelitë e paraburgimit është njohur me Lulzim Arapin dhe babain e Laertit. Pasi doli nga burgu ishte Lulzimi që e prezantoi me Laertin.

“Nuk më tha për ça më donte. Herën e parë që u takuam nuk e njihja dhe më tha jam Laert Haxhiu. U frikësova se kisha dëgjuar që merrej me vrasje. Më dha 1 mijë euro në xhep kur ika” tregoi Tafani takimin e parë me njeriun i cili do e përfshinte atë në një botë ku frika dhe urdhrat zëvendësonin zgjedhjen e lirë.

Më pas takimet u shtuan, besimi u ndërtua ngadalë, dhe bashkë me të edhe detyrat.

Tafani dëshmoi se detyra e parë që iu ngarkua nuk ishte një vrasje, por një akt frikësimi. Vendosja e tritolit në banesën e Erion Çokut për shkak se kishte probleme me pagesat ndaj Haxhiut.

“Vendosja e tritolit do të shërbente si sinjalizim për të frikësuar Erion Çokun se blinte mall, lloji heroinë nga Laert Haxhiu dhe nuk i kishte dhënë lekët” tregoi Tafani, sipas të cilit kjo nuk ishte pika që i hapi sytë.

Me kalimin e kohës, ai tregoi se iu dhanë detyra gjithnjë e më serioze, fillimisht si prova besnikërie, pastaj si pjesë e një zinxhiri veprimesh që e shtynin gjithnjë më thellë. Një nga këto momente, sipas tij, ishte kur u përfshi në një akt frikësimi, që duhej të shërbente si mesazh për të tjerët.

Por pika e kthesës, siç e përshkroi vetë, erdhi kur kuptoi se nuk bëhej më fjalë për “nderë” apo paralajmërime, por për jetë njerëzish.

Atij iu kërkua të vriste Çajup Selimin, ngjarje kjo e ndodhur më 1 qershor 2021 në Tepelenë, një krim që ai e përshkruan si pjesë e një rrjeti të organizuar ku gjithçka komandohej nga Laert Haxhiu.

Sipas dëshmisë, vrasja është paraqitur si një “nder” për një mik të Haxhiut nga Greqia.

“E pashë që po më merrnin me të mirë, po më fusnin në grackë. Po të ikja do më vrisnin” tha Tafani, i cili sipas tij, ajo që e bëri të qëndronte ishte frika dhe mënyra si gjërat u rrokullisën ngadalë, pa e kuptuar kur u bë pjesë e një rrethi nga i cili nuk dilje dot lehtë.

Ai përshkroi një atmosferë ku askush nuk pyeste shumë dhe ku çdo urdhër merrej si i padiskutueshëm.

“Nuk fliste njeri, nuk kundërshtonim, ça thoshte ai (Laerti) bëhej, se ishte ajo frika se do të të zhdukte, do të të vriste nëse flisje” – rrëfeu Tafani, duke treguar në detaje momentin e vrasjes së ish biznesmenit, ngjarje që ndodhi në Tepelenë.

“Kur mbërrita te pallati ku banonte Çajupi, qëndrova pranë hyrjes. Në atë moment dëgjova një makinë që më ngjante me atë që përdorte ai, një Benz. E pashë që u afrua, dhe u përballëm ballë për ballë. Kisha vendosur një maskë COVID-i dhe një kapele për të mos u njohur. Ai më shikoi me dyshim. U fut brenda në pallat dhe nisi të ngjitej lart – fillimisht në katin e parë, pastaj në të dytin. E ndoqa pas, me kujdes. E njihja mirë, ishte tullac dhe mbante veshur një bluzë të kuqe atë ditë. E qëllova nga pas, tre herë. Një nga plumbat e kapi në shpatull, për dy të tjerët nuk jam i sigurt se ku ranë. Pasi e qëllova, u largova me nxitim në drejtim të rrugicës që më çonte te lumi Vjosë, ku sipas planit do më priste Ligori.” – vijoi dëshminë Tafani.

Për këtë vrasje, u paguan 50 mijë euro nga Erisiano Abedini, nga të cilat 25 mijë euro i mori Artani dhe 25 të tjerat Laerti.

Vetëm një ditë më vonë, më 2 qershor 2021, sipas tij, grupi u zhvendos drejt Korçës për një tjetër objektiv, Fridman Xhaferraj.

Sipas dëshmisë, Xhaferri ishte bashkëpunëtor i Laertit, por duke qenë se nuk po bindej, Laerti donte ta vrisnin.

“Mesa kuptova Laerti kishte nevojë për vrasës. Fridman Xhaferrin për këtë punë e kishte marrë, po si duket s’i bëri punë.” – tha Tafani, sipas të cilit me urdhër të Laertit u planifikua dhe u ekzekutua 26-vjeçari.

Sipas rrëfimit, viktima u dërgua në një zonë të izoluar pranë një rezervuari në Korçë, u dhunua dhe më pas u vra, ndërsa trupi u hodh në ujë për të zhdukur gjurmët.

Trupi i 26-vjeçarit Fridman Xhaferi u gjet në rezervuarin e Gjançit në Korçë më 13 qershor 2021, ndërsa nuk është hera e parë që Artan Tafani tregon ngjarjet në të cilat është përfshirë, pasi statusin si i penduar i drejtësisë e mori pasi dëshmoi ngjarjet në të cilat është përfshirë bashkë me Laert Haxhiun, Lulzim Arapin apo Ligor Romaçkën etj., duke treguar kronologjikisht detaje për disa nga vrasjet më të bujshme të viteve të fundit, që nga vënia e tritolit si formë presioni ndaj ‘armiqve’ të Laert Haxhiut, deri te vrasja e një njeriu për 50 mijë euro.

Artan Tafani u arrestua në shtator të vitit 2023 pas një grabitjeje me armë në një pikë këmbimi valutor në zonën e Astirit dhe më pas pranoi të bashkëpunojë me Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Në dëshmitë e tij, ai ka zbardhur një numër të konsiderueshëm episodesh kriminale, përfshirë disa vrasje dhe sulme me eksploziv.

Sipas akuzave, Tafani ka marrë pjesë në tre vrasje ndaj Çajup Selimit, Fridman Xhaferajt dhe Alban Semakut i vrarë në Peqin më 17 tetor 2021, si dhe në tentativa vrasjeje dhe disa raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv. Ai akuzohet gjithashtu për “vrasje për gjakmarrje”, “sigurim kushtesh për vrasje”, “mbajtje pa leje të armëve” dhe “vjedhje me dhunë”.

Në dëshmitë e tij, ai ka zbuluar të paktën gjashtë vrasje të lidhura me grupin, disa prej të cilave të ndodhura në Shqipëri dhe të tjera në Greqi, në qytete si Lushnjë, Korçë, Elbasan dhe Tepelenë.

Nga ana tjetër, Laert Haxhiu akuzohet nga SPAK si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në një sërë veprash penale të rënda. Sipas prokurorisë, ai përballet me akuza për vrasje me paramendim, vrasje për gjakmarrje, tentativa vrasjeje, shkatërrim prone me eksploziv dhe vjedhje me armë.

Hetimet tregojnë se aktiviteti i këtij grupi është shtrirë nga prilli i vitit 2021 deri në maj të vitit 2023 dhe lidhet me konflikte të dhunshme me grupe të tjera kriminale, si dhe me motive hakmarrjeje.

Laert Haxhiu u arrestua në Greqi dhe u ekstradua në Shqipëri në korrik të vitit 2024. Ai ndodhet aktualisht në proces gjyqësor në GJKKO, ndërsa në të njëjtën çështje janë të përfshirë edhe disa persona të tjerë të dyshuar si pjesë e grupit kriminal./ SHTEG

Të fundit