Flash News

E-TJERA

Rekuiem për Gilmanin

Ti, i shtrenjti miku im!

A arrin vallë një fotografi të të bëjë të përlotesh? A nuk ishte "ikja" (fizike) jote një ngjarje prekëse, që na sfiliti zemrën?

I shtrenjti miku im Gilman: për mua kjo foto mbetet një thirrje malli, sa herë i hedh sytë gjatë ditës në zyrën time, ku e mbaj tash 5 vite, sa herë flas me ty, kur qesh me veten, sa herë kujtoj batutat e tua therëse, ironinë tende, pse jo, kur  "shihemi" sy-më-sy dhe duket se debatojmë ashpër, si dikur, për jetën, shoqërinë, politikën, universitetin, futbollin, natyrën, lartësitë, Shkodrën, Shirokën, Pentarin-fshatin tim të lindjes, biçikletën tënde të mendimeve, e shumë e shumë sende të tjera, pafund.

Rekuiem për Gilmanin

Ti na bëre nder si institucion i dijes, dhe këtë UET nuk do ta harrojë kurrë! Pikërisht sot në UET, kolegë e miq të tutë, brenda dhe jashtë UET, po debatojnë për mendimin tënd kritik, për legacy-n qe ti ke lënë, për botën akademike, atë politike e mediatike.

Ah, mik, ti ishe modeli i profesorit që tejkalonte dijen për t'u lartësuar si qenie sociale. Ti kishe rrezatim intelektual e profesional kudo, etikë komunikimi...

Vetëm me këta rreshta, nuk mund dhe nuk di të shpërfaq plotazi shumëdimensionalitetin tënd, por thjesht po them disa fjalë zemre...edhe nga Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi", ku të kujtova sot, si nostalgji a mall për ty, që unë i kam si sëmundje ngjitëse, herë-herë të pashërueshme.

Ti mik, kishe një optikë tënden për botën, unike, ndonjëherë dhe të çuditshme, por qe vështirë ta kundërshtonte dikush.

Studentët të adhuronin, sepse ti nuk njihje korniza, "injoroje" strukturën apo rregullin (pse jo dhe superiorët e tu), sepse ata merrnin prej teje atë çfarë donin: zbavitjen, lirshmërinë, aftësitë e të shprehurit, arsyetimin logjik, lirinë e mendimit e veprimit, mendimin kritik, por, mbi të gjitha, u jepje atyre natyrën e gjallë. Sepse, me mësimin në natyrë, ti mik i ndihmoje ata të bënin dallimin midis tërësisë së informacionit që merret në auditor dhe kuptimit të vërtetë të dijes natyrale, prakticitetit që ti e adhuroje.

Shkrimet e tua sintetike, herë-herë të idhta, të përzgjedhura dhe të artikuluara mjeshtërisht, na lidhnin pas teje, sepse ti zotëroje instrumentin e shprehjes dhe atë të gjuhës mjeshtërisht, ndoshta si askush!

Në fund, jam krenar mik që, shumë shokë, miq, kolegë, të njohur e të panjohur, mendojnë dhe kanë bindjen e palëkundur se miku ynë i përbashkët Gilman Bakalli, shume shpejt ngjiti maja të larta publicistike, provokoi debatin publik për shumë çështje, ruajti vijimësinë në qëndrime, ishte tërheqës në fushën akademike, si dhe shfaqi mjeshtri të pashoqe në të shkruar.  Zbulimi si mik e vlerë shoqërore më pasuroi dhe mua shumë, o miku im i shtrenjtë.

Për këtë të jam mirënjohës.

Paç dritë!

Të fundit