Flash News

E-TJERA

Renditja e rajonit, Shqipëria rend pas ndërtimit, mbetet pas në industri

Renditja e rajonit, Shqipëria rend pas ndërtimit, mbetet pas në

Kompania e prodhimit të katalizatorëve të makinave “Johnson”, që shfaqi interes vite më parë për të hyrë edhe në Shqipëri, por zgjodhi sërish Maqedoninë e Veriut, sot arrin në vendin fqinjë një qarkullim vjetor katër herë më të lartë se sipërmarrja më e madhe tek ne.

Si Serbia dhe Maqedonia po e zhvillojnë me shpejtësi industrinë prodhuese, ndërsa Shqipëria vijon të rendë pas ndërtimit. Renditja e kompanive më të mëdha rajonale

Ekonomia e Ballkanit Perëndimor e mori veten me shpejtësi pas rënies në vitin pandemik. Rritja vjetore e prodhimit u nxit nga kërkesa e fortë e brendshme dhe e jashtme, si pasojë e heqjes graduale të masave të kontrollit të lidhura me COVID-19, si dhe efekteve të ulëta bazë në disa vende.

Mali i Zi shënoi rritjen më të shpejtë në vitin 2021, me 12.5%, pasi kishte humbur më shumë në 2020-n, teksa ekonomia e vendit ra me 15.2%, për shkak të mbylljes së gjatë që ndikoi në industrinë e turizmit. Kosova u rrit me 10.5%, pas rënies me 3.9%.

Shqipëria u zgjerua me 8.5%, pasi tkurrja në 2020-n ishte shumë më e ulët sesa pritej, me vetëm -3.3% (nga deri në -9% që ishin vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare). Serbia, vendi që u godit më pak nga pandemia, me rënie vetëm -1%, u zgjerua fort me 7.4%.

Më të vështirë e kishte kapërcimin e pandemisë Maqedonia e Veriut, që u rrit me vetëm 4.2%, pas një tkurrje prej 4.5% vitin e mëparshëm. Bosnjë-Hercegovina u rrit me 6.9%, pas reduktimit me 4.5%.

Por, rimëkëmbja u ngadalësua në pjesën e parë të vitit 2022. Sipas Komisionit Europian, në tremujorin e parë 2022, PBB e rajonit u zgjerua me 4.7% në vit, krahasuar me 6.3% në tremujorin e mëparshëm.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt po jep ndikim negativ në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, përmes kanaleve të ndryshme të transmetimit. Në veçanti, rritjet e forta të çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe transportit po nxisin përshpejtim të mëtejshëm të inflacionit, gjë që po i shtyn bankat qendrore të rajonit me autonomi monetare të rrisin më tej normën bazë të politikës monetare.

Shqipëria vijon të ketë strukturë të paqëndrueshme ekonomike, me varësi të lartë nga bujqësia dhe ndërtimet (kjo e fundit zë një peshë të konsiderueshme në industrinë e vendit, ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit, që janë më të orientuara te prodhimi).

Shqipëria kaloi e fundit në rajon në vitin 2021, për eksportet e mallrave dhe shërbimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), duke u renditur pas Kosovës, që ishte, deri tani, në fund të renditjes.

Të gjithë vendet panë rritje të këtij treguesi, duke i tejkaluar nivelet e parapandemisë. Vetëm Shqipëria mbeti ende poshtë niveleve të 2019-s, duke reflektuar dobësitë e saj në vlerën e ulët të shtuar të mallrave, shërbimeve që tregtohen jashtë vendit.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia, dy vende që kanë investuar në prodhim, kanë eksporte me vlerë të shtuar të lartë, duke kryesuar rajonin. Shqipëria vijoi ta ketë këtë tregues më të ulëtin në rajon, në 30.6% të PBB-së, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Serbia e kanë përkatësisht 65.9% dhe 54.4% të PBB-së.

Shqipëria mbetet vendi më bujqësor i Europës, me 20.3% të Vlerës së shtuar bruto (VSHB) në 2021, shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian (1.6%) dhe e vendeve të rajonit.

Prodhimi i lartë bujqësor nuk është shfrytëzuar për të nxitur industrinë prodhuese vendase, duke e bërë Shqipërinë një ndër vendet me peshë më të ulët të industrisë në Europë. Shqipëria i ka përqendruar kapitalet e lira në sektorin e ndërtimit, i cili ka peshën më të lartë në Europë, në raport me vlerën e shtuar bruto të ekonomisë.

Vendi mbetet i fundit në Europë për peshën që zënë në ekonomi “Informacioni dhe komunikimi” dhe “Shërbime financiare dhe të sigurimit”. Aktiviteti i “Tregti me shumicë e pakicë, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor” është në nivele të ngjashme me Europën, por më i ulët sesa shtetet e rajonit.

Industria është sektori më pak i zhvilluar në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Pesha e saj në vlerën e shtuar bruto ishte 14% në fund të vitit 2021, duke lënë pas Malin e Zi, me 12%. Rekordin në rajon e mban Serbia me 23%, ndërsa për Maqedoninë e Veriut, pesha është 19%.

Ky model reflektohet dhe në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha, ku në Shqipëri dominon tregtia, ndërsa në dy shtetet e tjera janë sipërmarrje të mëdha në fushën e prodhimit. P.sh., në Maqedoninë e Veriut, kompania më e madhe qarkullon 2 miliardë euro në vit, në fushën e prodhimit të katalizatorëve për automjetet.

Në kontrast, në Shqipëri, në industrinë mbështetëse automotive që po zhvillohet vitet e fundit, kompania më e madhe ka të ardhura prej më pak se 40 milionë eurosh.

Peshë të lartë të industrisë ka dhe Kosova, në rreth 24% të vlerës së shtuar bruto, por që është e lidhur kryesisht me ekzistencën e disa ndërmarrjeve të mëdha në prodhimin e qymyrit./ Monitor

Të fundit