Flash News

E-TJERA

Reshjet intensive përmbytin Durrësin, probleme serioze edhe në autostradë. Pezullohet mësimi në Lezhë

Reshjet intensive përmbytin Durrësin, probleme serioze edhe në

Reshjet e dendura të shiut kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në qytetin e Durrësit, duke shkaktuar përmbytje në disa zona problematike, si dhe vështirësi serioze në qarkullimin rrugor.

Një familje nga zona e ish-Kënetës është detyruar të evakuohet, pasi banesa e saj u përmbyt nga uji. Familja është strehuar përkohësisht në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme, në zonën e plazhit.

Prefekti i qarkut Durrës, Emiljan Jani, ka bërë të ditur se, ndonëse hidrovoret po punojnë me kapacitet maksimal, situata vijon të jetë e rënduar në disa lagje të qytetit. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në përmirësimin e kushteve, ndërsa nxënësit dhe mësuesit janë njoftuar përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

Probleme të theksuara janë shënuar edhe në autostradën Durrës–Tiranë, ku prania e madhe e ujit në disa segmente ka sjellë bllokime dhe ka lënë disa automjete të bllokuara ose të fikura në mes të rrugës.

Sipas autoriteteve vendore, intensiteti i reshjeve ka qenë më i lartë se parashikimet fillestare, të cilat sinjalizonin reshje mesatare për zonën e Durrësit, çka ka vështirësuar përballimin e situatës në kohë reale.

Edhe në Lezhë situata paraqitet problematike. Niveli i ujit ka arritur në 40 cm në lagjen “Besëlidhja”, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve.

Për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova”.

Të fundit