Flash News

E-TJERA

Rikthehen zjarret në vend, si paraqitet situata

Rikthehen zjarret në vend, si paraqitet situata

Janë rikthyer zjarret në vend, të nxitur së fundmi edhe nga temperaturat e larta. Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se zjarre ka në 5 qarqe të vendit, në Lezhë, Vlorë, Durrës, Fier e Shkodër.

Kritike situata ka qenë në fshatin Bizë të Durrësit, ku në rrezik janë banesat. Edhe në Shkodër banesat rrezikohen nga flakët. Ndërkohë në Krastë të Krujës, ku është aktivizuar sërish vatra e zjarrit, zjarrfikësit nuk futen sot për shkak të terrenit të vështirë.

Në 24 orët e fundit në Vlorë ka pasur disa vatra zjarresh në fshatin Dëllenjë, Delisuf dhe te hidrovori në Akerni. Në Hidrovor dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa është shkrumbuar një sipërfaqe e konsiderueshme me bar.

Na fshatin Delisuf, u dogj një sipërfaqe pyjesh dhe shkurresh. Vatra e zjarrit në fshatin Piraj të Lezhës është arritur që të vihet nën kontroll dhe është shuar plotësisht rreth orës 4 të mëngjesit, por dëmet e shkaktuara janë më të mëdha.

Gjithashtu është shuar zjarri në masivin pyjor në dalje të qytetit të Lezhës dhe përgjatë superstradës Lezhë-Milot.

Aktualisht vatër aktive zjarri ka vetëm në pyjet e Oroshit, ku zjarri vijon prej disa ditësh. Ditën e sotme është kërkuar ndihma e ushtrisë ku 50 forca pritet të mbërrijnë në terren për shuarjen e flakëve.

Të fundit