Flash News

E-TJERA

SafeJournalist letër Dumanit: Vendimet e SPAK ndaj Elton Qynos, precedent alarmant

SafeJournalist letër Dumanit: Vendimet e SPAK ndaj Elton Qynos, precedent

Rrjeti SafeJournalists, Organizatat Partnere të Platformës MFRR dhe RSF i kanë dërguar një letër të hapur kreut të SPAK-ut Altin Dumani sa i takon rastit të gazetarit Elton Qyno.
Përmes letrës rrjeti shpreh shqetësimin për veprimet e fundit nga SPAK-u ndaj gazetarit, i cili pak kohë më parë u ndalua nga policia më urdhër të prokurorisë ndërkohë që iu kontrollua banesa dhe iu sekuestruan telefoni e pajisjet e tjera elektronike.

Sipas SafeJournalist, këto veprime përbëjnë një precedent shqetësues dhe se masa të tilla do të ndikojnë në të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e medias në Shqipëri dhe më gjerë.

“Rrjeti SafeJournalists dhe organizatat partnere të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe Reporterët pa Kufij (RSF) i shkruan një letër kreut të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri për të shprehur shqetësimin për veprimet e fundit të ndërmarra nga SPAK ndaj gazetarit Elton Qyno. Vendimi për të sekuestruar pajisjet e zotit Qyno dhe për t’i bërë presion atij për të treguar burimet e tij është një çështje alarmante e rëndësishme për ne si organizata të përkushtuara për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, lirisë së medias dhe integritetit gazetaresk. Veprimet e kryera ndaj z. Qyno, përfshirë kontrollin e banesës dhe zyrës së tij, sekuestrimin e pajisjeve personale dhe profesionale, përbëjn një precedent shqetësues. Masa të tilla do të ndikojnë në të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e medias në Shqipëri dhe më gjerë.” – thuhet në letrën drejtuar Dumani.

Në fund të letrës, Safe Journalists e organizatat partnere i bëjën thirrje kreut të SPAK-ut Dumani që të rivlerësojë qasjen ndaj rastit, kthimin e pajisjeve elektronike dhe ndërprerjen e presionit për të zbuluar burimet e gazetarit Elton Qyno.

“Rrjeti SafeJournalists dhe organizatat partnere i kërkuan SPAK-ut të rivlerësojë qasjen e tij në këtë rast. Kthimi i pajisjeve të sekuestruara zotit Qyno dhe ndërprerja e të gjitha përpjekjeve për të zbuluar burimet e tij do të tregonte mirëkuptim, respektim dhe mbrojtje të lirisë së medias dhe mbrojtjes së burimeve gazetareske në Shqipëri. Kjo qasje do të përputhej me standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe entitete të tjera ndërkombëtare të dedikuara për lirinë e medias. I kemi bërë thirrje SPAK-ut që të ketë prioritet mbrojtjen e burimeve gazetareske, gjë që është thelbësore për ruajtjen e lirisë së shtypit dhe parimeve demokratike. Marrëdhënia e besimit midis gazetarëve, burimeve të tyre, publikut dhe zbatimit të ligjit varet shumë nga respektimi dhe ruajtja e këtyre vlerave”.

 

Të fundit