Flash News

E-TJERA

Sejko: Norma bazë e interesit mbetet 2.5%

Sejko: Norma bazë e interesit mbetet 2.5%

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë një ecuri pozitive gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025, duke u mbështetur nga rritja ekonomike, stabiliteti i çmimeve dhe përmirësimi i treguesve financiarë. Deklarata u bë në konferencën për shtyp  pas miratimit të Raportit të Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e katërt.

“Informacioni i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të ndjekë një trajektore pozitive zhvillimi, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025”, u shpreh Sejko, duke theksuar se kjo ecuri pasqyrohet në rritjen solide të aktivitetit ekonomik dhe mbajtjen e inflacionit nën kontroll.

Sipas guvernatorit, politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në këtë zhvillim. “Qëndrimi konsistent me objektivin e stabilitetit të çmimeve dhe fleksibiliteti operacional kanë kontribuar në ankorimin e pritjeve për inflacionin dhe krijimin e kushteve financiare të përshtatshme për rritjen e konsumit dhe investimeve”, tha ai.

Inflacioni mesatar për muajt tetor–nëntor rezultoi në nivelin 2.2%, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me tremujorin e tretë. Sejko sqaroi se kjo u ndikua kryesisht nga ulja e çmimeve ushqimore dhe zbutja e presioneve të importuara. “Presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të jenë në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, ndërsa presionet e huaja janë dobësuar më tej”, theksoi guvernatori.

Në lidhje me rritjen ekonomike, Sejko deklaroi se pas rritjes 3.6% në gjashtëmujorin e parë, ekonomia ka vijuar me ritme të ngjashme edhe në pjesën e dytë të vitit. “Të dhënat nga sektori real, monetar dhe fiskal sinjalizojnë rritje të mëtejshme të konsumit, investimeve dhe eksporteve të shërbimeve”, u shpreh ai, duke veçuar kontributin e turizmit, i cili u rrit me rreth 22% në tremujorin e tretë.

 Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare. “Gjykimi ynë është se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve”, tha Sejko, duke njoftuar se norma bazë e interesit mbetet në nivelin 2.5%, norma e depozitës njëditore në 1.5% dhe ajo e kredisë njëditore në 3.5%.

 

Të fundit