Flash News

E-TJERA

Sekuestrohen 160 paketime në formë çokollate, arrestohen babë e bir në Tiranë

Sekuestrohen 160 paketime në formë çokollate, arrestohen

Finalizohen dy operacione anti-drogë në Tiranë të koduara “Çokollata” dhe “Tujani”.

Në operacionin e koduar “Çokollata”, janë sekuestruar 160 paketime lëndë narkotike me peshë totale 48.5 kilogramë në formë çokollate dhe janë arrestuar babë e birë Sami dhe Kevin Qorjda dhe djali i tij 19-vjeçar.

Ndërsa në operacionin tjetër u sekuestruan 312 gramë heroinë.

Njoftimi policisë:

Në përmbushje të një prej prioriteteve të Policisë së Shtetit, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, gjatë mesditës së sotme, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u organizuan dhe u finalizuan me sukses dy operacione policore antidrogë, të koduara “Çokollata” dhe “Tujani”.

Në kuadër të këtyre operacioneve u sekuestruan heroinë e kanabis e përpunuar në çokollate, si dhe armë gjahu pa leje, më konkrektisht:

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një hetimi disaditor me metoda speciale të hetimit, të kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, mesditën e sotme, finalizoi operacionin policor të koduar “Çokollata”.

Në rrugën “Rexhep Tarja”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën në pronësi të shtetasit S. Q. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 160 paketime me lëndë të dyshuar narkotike, të përpunuar në formën e çokollatës, me peshë totale 48.5 kilogramë.

Në vijim të kontrollit është gjetur dhe një armë gjahu pa leje, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet në përdorim të këtij shtetasi dhe dy aparate celulare. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. Q., 43 vjeç dhe i djalit të tij K. Q., 19 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Menjëherë pas operacionit të koduar “Çokollata”, bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi disaditor, është organizuar dhe finalizuar operacioni i dytë antidrogë, i koduar “Tujani”.

Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Tujanit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R. Q., 31 vjeç, ku gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 gramë lëndë të dyshuar narkotike të dyshuar heroinë, një armë gjahu, peshore elektronike dhe një aparat celular.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se babë e bir ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, duke e përpunuar lëndën narkotike kanabis në formë çokollate, të cilën më pas e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.

Po nga hetimet ka rezultuar se shtetasi R. Q. merrej me shitjen e lëndës narkotike heroinë, në doza, të cilat i shiste në zonën e Tufinës, në Babrru dhe në rrugën “Myslym Keta”. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, pasi siguronte lëndë narkotike heroinë, në sasi 1-2 kg, e ndante në doza dhe më pas e shiste.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Të fundit