Flash News

E-TJERA

Përveç eurove, mori edhe një arkë me peshk dhe celular/ Zbardhen përgjimet e SPAK për Rovena Vodën: Shefe s'e bëj dot

Përveç eurove, mori edhe një arkë me peshk dhe celular/

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, për të cilën SPAK caktoi dje masën e sigurisë "arrest shtëpie", pasi gjatë periudhës që ka qënë me detyrë, është përfshirë në një skandal të emërimit të paligjshëm të personave në administratën Publike. Voda dyshohet se ka marrë ryshfet nga Majlinda Hasani dhe Florida Beu kundrejt emërimeve të kesaj te fundit në detyrë. 

Mësohet se hetimi ka nisur në vitin 2019 për një çështje tjetër kur ka rënë në përgjim avokatja Majlinda Hasani, e cila ushtron profesionin në Durrës dhe këto përgjime kanë çuar në arrestimin e ish-zv.ministres Rovena Voda.

Në dosjen e SPAK thuhet se më 13 shkurt 2020, Majlinda Hasani, është takuar me Florida Beun dhe zv.ministren e kohës, Rovena Voda. Beu i ka kërkuar që ta favorizojë për tu punësuar. Voda ka telefonuar një person, që kishte dijeni për vende pune. “Shefe nuk e bëj dot, por do ta rregulloj si specialiste”, i  ka thënë ajo.

Referuar dosjes së SPAK, Majlinda Hasani dhe Florida Beu i kanë dhënë Vodës shumën prej një mijë eurosh dhe ky moment është filmuar edhe pse eurot ishin në zarf.

Pas këtij momenti, nga përgjimet dëgjohet Majlinda Hasani, e cila thotë se Rovena Voda i përgjigjet menjëherë, jo si më parë, ku i përgjigjej pas 2-3 ditësh, sepse sipas saj, “Leku e hedh ujin përpjetë”.

Majlinda Hasani dhe Florida Beu, referuar asaj çka thuhet në dosjen e SPAK, i kanë bërë dhe një telefon dhuratë Rovena Vodës dhe gjithashtu edhe ky moment është filmuar.

Hasani, Beu dhe Voda janë takuar më 28 Shkurt 2020 brenda ambienteve të Ministrisë së Brendshme dhe pas këtij takimi Florida Beu ka aplikuar për specialiste në 11 vende pune, por në asnjërën prej tyre ajo nuk ka kaluar as në fazën e dytë, duke mos e përfituar vendin e punës. Pavarësisht kësaj, Voda ka përfituar dhurata prej saj, ndaj dhe e ka konsumuar veprën penale.

Takimi i fundit mes tyre është bërë më 6 Mars 2020, ku Voda shfaqet me makinën e saj, me targa MB 276 AA, që drejtohej nga shoferi i saj, dhe është futur në Portin e Durrësit, ku Beu i ka dhënë dhe një arkë me peshk.

Të fundit