Flash News

E-TJERA

Shembjet në aksin Librazhd-Pogradec, Prokuroria e Elbasanit nis procedim penal për dëmtimet që paralizuan 'Juglindjen'

Shembjet në aksin Librazhd-Pogradec, Prokuroria e Elbasanit nis procedim

Prokuroria e Elbasanit ka nisur procedim penal për dëmtimet që kanë sjellë bllokimin e qarkullimit.

Hetimi do të fokusohet në shkaqet që çuan në rrëshqitjen masive e cila shembi rrugën, linjën hekurudhore, linjat elektrike e rrezikon më tej. Prokuroria në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente do të verifikojë lejen për marrjen e inerteve në Shkumbin dhe zbatimin e saj.

Përgjegjës për dëmtimin e rrugës është bërë kompania që po ndërton Korridorin 8 pasi fadromat kanë gërryer shtratin e lumit me bekimin e institucioneve, duke sjellë pasoja siç janë edhe rrëshqitjes e dherave, plasaritjet dhe çarjet e rrugës.

Aksi Librazhd-Pogradec ka pësuar çarje dhe shembje në disa pjesë të rrugës, dëmtime që kanë qenë prezente prej javësh. Çarjet rrezikojnë shembjen e urës çka detyroi Autoritetin Rrugor Shqiptar të bllokojë plotësisht qarkullimin e mjeteve, duke paralizuar qarkullimin drejt Juglindjes. 

I vetmi aks alternativ është rruga Maliq-Moglicë, një tjetër segment i dëmtuar ku po ashtu, prej javësh janë shfaqur çarje dhe shembje serioze. E vetmja alternativë që lidh Juglindjen me Tiranën dhe anasjelltas, vijon të mbetet problematike për qarkullimin.

Të fundit