Flash News

E-TJERA

Shemsi Prençi kandidat për Bashkinë e Kamzës: Pse iu bashkova primareve në PD

Shemsi Prençi kandidat për Bashkinë e Kamzës: Pse iu

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit Shemsi Prençi ka shpallur kandidaturën e tij për primaret e PD-së në Bashkinë e Kamzës.

Prençi njoftoi dje shpalljen e kandidaturës, përmes një postimi në Facebook, ku deklaroi se kandidaturën e tij e mbështet në kontributin disavjeçar që ka dhënë në PD.

“Të nderuar miq e dashamirës, dëshiroj të ndaj me ju iniciativën time për të marrë pjesë në procesin e primareve brenda Partisë Demokratike si kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të datës 14 Maj 2023 për Bashkinë Kamëz.

Garantoj anëtarësinë e PD dega Kamëz, Kryesinë e Partisë Demokratike Kamëz dhe PDSH-në se këtë iniciativë dhe guxim personal e mbështes në kontributin që kam dhënë për Partinë Demokratike të Shqipërisë për 23 vite si anëtar i thjeshtë i saj, si anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH në vitet 2000-2005 si dhe kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 në zonën e Paskuqanit.

Gjithashtu, këtë iniciativë e mbështes në eksperiencën time si drejtues i disa fushatave elektorale në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2000, zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001, zgjedhjet e pjesshme të vitit 2002 në Bulqizë, zgjedhjet për pushtetin vendor në vitin 2003, zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005”, tha Prençi.

Prençi ka renditur në Euronews Albania, arsyet se pse vendosi t’i bashkohet primareve në PD. Ai u shpreh se nuk e konsideron politikë, por se gjuha aktuale e qeverisë duhet të nxitë të gjithë intelektualët t’i bashkohen opozitës.

"Nuk e konsideroj politikë. Unë kam vendosur që t’i përgjigjëm thirrjes së PD-së, sipas sloganit ‘Shqipëria në rrezik’. Ka arrogancë komunikimi nga pushteti. Gjuha aktuale e qeverisë duhet të nxitë çdo intelektual të bashkohet me opozitën, me qëllim mos instalimin e regjimit në Shqipëri. Elementi bazë i demokracisë është rotacioni politik. Shpalos iniciativën time për kandiduar në Kamzë, aty ka njerëz në nevojë në prag të varfërisë ekstreme. Me një vizion për të zhvilluar një qytet të ri siç është Kamza. Unë jam demokrat i lirë, unë kam kundërshtuar edhe ministrat e Partisë Demokratike. Unë kam kundërshtuar kryeministrin, kam informuar se zyrtarë të lartë të qeverisë së PD-së, në vitin 2012, kam informuar një ish-ministër dhe një kryeministrin se zyrtarë të lartë janë aksionerë të kompanive të kromit. Fakti që zyrtarë të tjerë që ishin mbi mua e gënjenin Berishës, unë ia thashë publikisht. Koha provoi se unë kisha të drejtë", tha Prençi.

Të fundit