Flash News

E-TJERA

Shënim/ Dy fjalë për Ballkanin e Hapur

Shënim/ Dy fjalë për Ballkanin e Hapur

nga Virgilius

Le ta themi qysh në krye, në njëqind e vjet e këndej vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë pasur projekt më emancipues se ky i ngjizur kohët e fundit prej liderëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që tanimë njihet publikisht me emërtesën kuptimplotë “Ballkani i Hapur”. Ky emër është në të njëjtën kohë edhe motoja e kësaj nisme, një Ballkan i Hapur për të shkëmbyer mallra, kapitale dhe njerëz, veçanërisht të rinjtë. Për herë të parë në historinë e këtyre vendeve, pas shembjes së Perandorisë Osmane, Ballkani pa kufij, i frymëzuar nga modeli i vendeve të Bashkimit Europian, do të hapë dyert për të rinjtë, të cilët do të kenë mundësi të punësohen në çdonjerin prej këtyre vendeve dhe të jetojnë si qytetarë europianë në të.

            “Ballkani i hapur” është para së gjithash një projekt politik që krahas lëvizjes së lirë të lehtësojë shkëmbimet ekonomike e tregtare mes vendeve të rajonit dhe me Europën e më gjerë. Por siç shprehej Gëteja: “Atë që ndan politika e bashkon kultura”, edhe ky projekt politik pa kulturën si element i qenësishëm i tij do të ishte i mangët. Kultura dhe njerëzit që e prodhojnë dhe e përhapin atë janë si ata ndërtuesit e urave që lidhin dy brigje; dhe më mirë se kushdo tjetër këtë metaforë të urës e ka përdorur Ivo Andriçi në një prej eseve të veta. Duke qenë se modeli i Ballkanit të Hapur, siç e përmendëm më lart, e merr frymëzimin prej Bashkimit Europian, e kemi mjaft të lehtë ta përfytyrojmë sesi Europa e sotme e bashkuar mund të kishte qenë sikur të qe një projekt thjesht e vetëm politik e ekonomik, pa kulturën si pjesë përbërëse e kodit gjenetik të saj.

            Për arsye historike tanimë të njohura për ne të gjithë, regjimeve diktatoriale dhe mbylljes hermetike, mes serbëve dhe shqiptarëve ka një hendek të madh mosnjohjeje, mungese informacioni, shkëmbimesh etj. Kjo hipotekë e rëndë për të dy popujt vjen e bëhet edhe më e dëmshme kur kemi parasysh paragjykimet e mëdha që kanë ekzistuar mes nesh për arsye nga më të ndryshmet: politike, historike, kulturore etj. Duke iu rikthyer metaforës së urës mund të themi se vetëm kultura dhe arti do ta shkurtojnë e zhdukin këtë hendek; vetëm arti e kultura janë ambasadorët më të mirë për t’u njohur mes nesh dhe çmuar vlerat e ndërsjella të krijuara në shekuj dhe që vijojnë të krijohen edhe sot prej shkrimtarëve, artistëve të skenës e të ekranit, piktorëve e skulptorëve, por edhe muzikantëve etj.

            Është fakt që sot e kësaj dite shqiptarët dhe serbët, kudo ata jetojnë në viset e Ballkanit, janë dy popuj të rëndësishëm. Iu takon atyre të hedhin një hap përpara dhe të krijojnë atë sinergji të rëndësishme artistike e kulturore e domosdoshme për t’i afruar popujt me njëri–tjetrin dhe, nga ana tjetër, për të lënë pas dramat e konfliktet e së shkuarës. Të dy popujt tanë duhet të bëjnë as më pak, as më shumë atë që para shumë vjetësh bënë francezët e gjermanët për të shëruar plagët e dy luftrave botërore; të bashkëpunonin jo vetëm politikisht e ekonomikisht, por edhe në fushën e artit dhe të kulturës, duke hedhur themelet e asaj që ne sot e quajmë Bashkim Europian dhe ku aspirojmë të integrohemi.

            Hapi i parë i këtij afrimi kulturor u bë: shkëmbimi i vizitave të ndërsjellta të drejtoreshës së Qendrës së Librit e të Leximit, Alda Bardhyli në Beograd në fund të vitit të shkuar dhe, këto ditë në Tiranë, të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Serbisë, njëherësh shkrimtar i përmendur Vladimir Pishtallo. Ma do mendja që këtyre vizitave do t’iu shkonte për shtat shprehja e perifrazuar e Neil Armstrong’ut kur shkeli në truallin e Hënës: “One small step for man, one giant leap for the Balkans”. Ky përafrim shpresojmë dhe besojmë se në të ardhmen, madje jo fort të largët, do të thotë që më shumë shkrimtarë shqiptarë, serbë, maqedonë, malazez, boshnjakë të botohen e të qarkullojnë në libraritë e çdonjërit prej vendeve tona.

            Plot 30 vjetë pas rënies së Murit të Berlinit dhe të Perdes së Hekurt mes Perëndimit dhe Lindjes një mur i vogël dhe një tjetër Perde, edhe pse jo prej Hekuri, vijon të ekzistojë mes vendeve ballkanike. Arti dhe kultura, në radhë të parë letërsia e shkrimtarët, janë instrumenti më i mirë për të shembur një herë e përgjithmonë rrënojat e së kaluarës dhe për t’i ndihur integrimit në atë që rëndom e quajmë familjen e madhe europiane, por që për të gjithë ende ka mbetur, deri më sot të paktën, një mirazh. Shpresojmë jo përgjithmonë.  

Të fundit