Flash News

E-TJERA

Shkarkohet drejtoresha e Zyrës Arsimore në Elbasan, zëvendësohet nga pedagogu i vlerësuar nga Evis Kushi

Shkarkohet drejtoresha e Zyrës Arsimore në Elbasan,

Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Publik në Elbasan, Anila Çota është shkarkuar nga detyra. Ministria e Arsimit ka vendosur që Çotën ta zëvendësojë Ermir Çelën.

Ky i fundit ka qenë drejtor në Gjimnazin “Konstandin Kristoforidhi” dhe pedagog i jashtëm në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Për Çelën, ministrja Evis Kushi e ka shprehur hapur vlerësimin. Disa muaj më parë, në një aktivitet, ajo tha se Çela spikat me vlerat si njeri dhe profesionist.

"Dua t’ju prezantoj sot me një bashkëqytetarin tim nga Elbasani, mësues Ermirin, i cili përgjatë gjithë karrierës së tij ka spikatur për vlerat më të mira njerëzore e profesionale në ushtrimin e detyrës fisnike të mësuesit, sikurse edhe në funksione të tjera të rëndësishme si drejtues shkolle, pedagog në Universitetin 'Aleksandër Xhuvani'”, tha Kushi.

Shkarkimi i Anila Çota vjen pak ditë pasi u largua nga detyra drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi në Tiranë.

Nga informacionet që qarkullojnë në media priten të tjera shkarkime, në kuadër të ndryshimeve që Ministria e Arsimit është duke bërë në nivelet drejtuese lokale.

 

Të fundit