Flash News

E-TJERA

Shqipëria, vendi më pak i rrezikuar në rajon nga varfëria ‘e trashëguar’ ndër breza

Shqipëria, vendi më pak i rrezikuar në rajon nga varfëria
Foto Ilustruese

Ekziston një korrespodencë midis gjendjes financiare të familjes së prindërve dhe rrezikut të varfërisë te të rinjtë e sotëm.

Në të dhënat e publikuara nga Eurostat, mbi transmetimin ndër breza të disavantazheve nga moduli i Statistikave të BE-së për të ardhurat dhe kushtet e jetesës, matet treguesi i cili vlerëson se një fëmijë që është rritur i varfër, ka më shumë prirje të jetë i varfër edhe kur të arrijë në një moshë madhore.

Anketa mat shkallën e rrezikuar nga varfëria për të rriturit (nga 25 deri në 59 vjeç) sipas nivelit të situatës financiare të familjeve të tyre kur i anketuari ishte rreth 14 vjeç.

Për vitin 2019, në Bashkimin Evropian shkalla e rrezikut nga varfëria ishte 23%, ku u vlerësuan njerëzit me situatën më të keqe financiare në familjen e tyre në moshën 14-vjeçare.

Edhe pse përgjithësisht renditet ndër vendet më të varfra në Evropë, Shqipëria duket të jetë më pak e rrezikuar nga varfëria e transmetuar ndër breza, jo vetëm në Evropë po edhe në rajon.

Sipas të dhënave të Eurostat, shkalla e rrezikut të varfërisë për të rriturit aktualë me një situatë të keqe financiare në familjet e fëmijërisë në Shqipëri ishte 25% në vitin 2019, më e ulëta në rajon dhe afër mesatares së bashkimit Evropian prej 23%.

Shqipëria, vendi më pak i rrezikuar në rajon nga varfëria

Shkalla e rrezikut të varfërisë për të rriturit aktualë me një situatë të keqe financiare në familjet e fëmijërisë varionte nga 10.2% në Çeki në 40.1% në Bullgari. Nga ana tjetër, shkalla e rrezikut të varfërisë për të rriturit aktualë me një situatë të mirë financiare varionte nga 5.9% në Çeki në 16.6% në Spanjë.

Pothuajse në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, shkalla e rrezikut nga varfëria ishte më e lartë për njerëzit që kishin një situatë të keqe financiare në të kaluarën. Diferencat më të mëdha u regjistruan në Bullgari (27.6 pikë përqindje diferencë midis situatave të këqija dhe të mira financiare në të kaluarën), Rumani (17.1 pikë përqindje) dhe Itali (14.8 pikë përqindje).

Në anën tjetër të shkallës, dallimet më të vogla u regjistruan në Letoni (0.6 pikë përqindje) dhe Austri (0.7 pikë përqindje) si dhe në Estoni (1.8 pikë përqindje) dhe Finlandë (2.0 pikë përqindje). Në Danimarkë, shkalla e rrezikut nga varfëria mes njerëzve që kishin një situatë të mirë financiare në të kaluarën ishte më e lartë se njerëzit që kishin një situatë të keqe financiare.

Të fundit