Flash News

KRYESORE

Shqipëria si Lampedusa ose Ruanda, refugjatët po hidhen si pako

Shqipëria si Lampedusa ose Ruanda, refugjatët po hidhen si pako

Shqipëria dhe Italia nënshkruan dje një marrëveshje për të ngritur qendra për pritjen e emigrantëve të paligjshëm. Marrëveshja e nënshkruar mes kryeministrit Edi Rama dhe Giorgia Melonit, parashikon pritjen e gati 36,000 emigrantëve në vit të cilët vijnë nga Lindja e Mesme në Itali dhe do të vendosen në Shqipëri.

Plani do të zbatohet për emigrantët e shpëtuar në det nga anijet italiane dhe jo për ata që mbërrijnë në brigjet italiane, shkruan BBC, duke përjashtuar gratë shtatzëna, fëmijët dhe njerëzit në nevojë.

Emigrantët do të qëndrojnë në qendra ndërsa Italia shqyrton kërkesat e tyre për azil. Qendrat do të ndërtohen në portin e Shëngjinit dhe zonën e Gjadrit. Personeli i sigurisë dhe oficerët e policisë do të sigurohen nga Shqipëria.

Politikanët e opozitës si në Itali ashtu edhe në Shqipëri e kanë kritikuar marrëveshjen.

Riçardo Magi, kreu i partisë liberale italiane +Europa, tha se plani ishte "i frikshëm" dhe se qendrat do të ishin si "një lloj Guantanamo italiane".

Në një reagim në platformën “X”, ai e cilësoi marrëveshjen mes dy vendeve të paligjshme. "Është gjithashtu një marrëveshje e paligjshme: Italia nuk mund të dërgojë njerëz të shpëtuar në det në një vend jashtë BE-së, sikur të ishin pako ose mallra", shkroi Magi.

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi kritikoi mungesën e transparencës rreth marrëveshjes.

“Kjo është tradhti ndaj Shqipërisë dhe është pabesia më e madhe që Rama mund t’i bëjë vendit tonë. Antishqiptari më i madh sot quhet Edi Rama, i cili çdo vit dëbon qindra mijëra të rinj nga vendi për t'i zëvendësuar me emigrantë të paligjshëm”, shkruan Këlliçi në Facebook.

Andrea Costa, president i shoqatës së ndihmës emigrantëve me bazë në Romë, Baobab Experience, tha për BBC se njoftimi i kapi të gjithë në befasi dhe tregoi se politikat e qeverisë italiane të imigracionit po shkonin në drejtimin e gabuar.

Costa tha se qendrat rrezikonin të bëheshin "si një Lampeduza në brendësi të Shqipërisë", duke iu referuar ishullit italian që është një nga portet kryesore të mbërritjes për njerëzit që duan të arrijnë në Evropë.

Ai iu referua gjithashtu përpjekjes së qeverisë britanike për të dërguar mijëra azilkërkues në Ruandë, duke thënë: “Nuk e dimë nëse qendrat në Shqipëri do të jenë një lloj Guantanamo, një Lampedusa, një Ruanda – apo pak nga të gjitha", tha ai.

Media amerikane, POLITICO, shkruan se marrëveshja midis Italisë dhe Shqipërisë është e para e këtij lloji e arritur midis një vendi anëtar të BE-së dhe një shteti jo-anëtarësh të BE-së, por e konsideron atë si të ngjashme me planin e paraqitur nga Mbretëria e Bashkuar për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, i cili u rrëzua nga një gjykatë Apeli në Londër, pasi gjeti shkelje të të drejtave të njeriut.

Plani në fjalë, për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, përfshinte edhe shqiptarët. Dhe asokohe kryeminsitri Rama iu kthye me gjuhë të ashpër Sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila i cilësoi shqiptarët si “kriminelë”.

Të fundit