Flash News

E-TJERA

Skandal në QSUT, shefja e financës me diplomë false mbahet në punë

Skandal në QSUT, shefja e financës me diplomë false mbahet

Në Klinikën Stomatologjike Universitare të Tiranës denoncohen shkelje që lidhen me shkarkime të dyshimta apo emërime pa procedura.

Ish-përgjegjësja e Burimeve Njerëzore ankohet në emisionin “Stop” se është larguar padrejtësisht nga detyra, pas 9 vitesh në këtë pozicion. Sipas saj, në vitin 2024 i është ndryshuar struktura e punës, duke u përfshirë edhe sektori i shërbimeve mbështetëse.


Drejtoresha e institucionit, Belisa Kaleci, e ka urdhëruar përmes telefonit të marrë këtë rol shtesë, ndërsa në pozicionin e Burimeve Njerëzore është komanduar pa konkurs Enerta Pambuku, asistentja e drejtoreshës.

Ish-përgjegjësja pretendon se i ka përballuar të dyja detyrat për një periudhë, por më 20 prill është shkarkuar menjëherë nga puna, pa argumente dhe pa procedurë. Madje, vendimi është komunikuar gjatë një mbledhjeje stafi. Ajo thotë se ka bërë ankesa në Ministri, por nuk ka marrë përgjigje.

Nga ana tjetër, drejtoresha Belisa Kaleci akuzohet se mban ende në detyrë shefen e financës, Liljana Kuka, e cila ka dalë në pension prej dy vitesh. Për më tepër, kjo e fundit ka qenë e përfshirë në një rast falsifikim diplome të denoncuar publikisht në vitin 2019, falsifikim që e ka pranuar edhe vetë e akuzuara.

Drejtoresha Kaleci jep përgjigje të paqarta për shkarkimin e ish-përgjegjëses, ndërsa për rastin e financës thotë se nuk ka kandidatë të interesuar. Në një intervistë të dytë të kërkuar prej saj, Belisa Kaleci përpiqet të justifikojë vendimet, duke deklaruar se ish-përgjegjësja e Burimeve Njerëzore e kishte mbajtur vendin e punës me forcë, pretendim që bie në kundërshtim me faktin se nuk është bërë asnjë kallëzim ndaj saj.

Ne kontaktuam ish-drejtorin e institucionit, Etjan Joka, i cili shprehet pozitivisht për punonjësen e shkarkuar, duke lënë të kuptohet se konflikti mund të ketë qenë i natyrës personale nga ana e drejtueses aktuale.

“Nuk mbaj mend kurrë një problematikë me Kxxxxx, përkundrazi, kam pasur gjithmonë vlerësim maksimal. Madje edhe ndërprerja e menjëhershme e kontratës duket kështu si, unë e di që është shkalla e fundit e vendimmarrjes, gjithsesi, gjithsesi, për Kxxxxx, jo.
Absolutisht, gjithmonë konsideratë maksimale në aspektin profesional, në aspektin njerëzor, në aspektin e korrektësisë, nuk kam pasur asnjë lloj problematike.
Nuk mbaj mend as më të voglën ankesë, as nga stafi.”/ /tvklan.al

Të fundit