Flash News

E-TJERA

"Soreca është një diversant që ka sabotuar çështjen e teatrit", Budina: Të hënën do depozitojmë padi në SPAK

"Soreca është një diversant që ka sabotuar

Aktori Edmond Budina, një prej anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ka folur për pretendimet se ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka ndërhyrë për çështjen e TK. Aleanca pretendon se diplomati i BE-së ka lobuar në favor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Budina e quajti Sorecën një diversant që ka sabotuar çështjen e Teatrit Kombëtar. Ai foli në "Kjo Javë" për arsyet pse AMT dyshon se Soreca mund të ketë ndikuar te Gjykata Kushtetuese në disfavor të tyre.

Aktori tha se Soreca ka qendruar indiferent ndaj shqetësimeve që kanë ngritur aktivistët në mbrojtje të teatrit, ndërsa shtoi se fakti që takimi me kryetaren e Gykatës Kushtetuese, Vitore Tushën u mbajt i fshehtë e fakton pretendimin e AMT.

I bindur se Soreca ka shkuar për të lobuar kundër tyre, ai tha se AMT do të kërkojë prokurorë dhe hetues ndërkombëtarë për ta verifikuar.

“Zoti Soreca për mendimin tim në çështjen e Teatrit Kombëtar është një diversant që ka sabotuar çështjen e Teatrit Kombëtar dhe këtë e them me bindje të plotë. Ne kemi bërë disa takime me të dhe ai nuk ka reaguar fare, shkon në Gjykatën Kushtetuese fshehurazi, ditën që do gjykohej çështja e Teatrit Kombëtar.

Pse nuk e bëri publike siç i ka bërë të gjitha të tjerat? Pse nuk u shpreh z.Soreca edhe pas takimit, dhe pasi e zbuluam ne. Të thoshte: I kërkoj Gjykatës Kushtetuese të jetë e paanshme. Këtë duhet të bënte z.Soreca dhe jo të na akuzonte për shpifje, le të na akuzojë, ka për ta parë që të ato shpifje do të dalin të vërteta fjalët tona.

Sepse aty padiskutim që është diskutuar për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe ne do të kërkojmë edhe prokurorë, hetues ndërkombëtarë që ta verifikojnë, ta zbulojnë sepse nuk ka asnjë protokoll për atë ç’ka është biseduar atje.

Nuk ka asnjë gjë publike, pastaj në fund të fundit, përse shkon ai në Gjykatën Kushtetuese. Kryetarja e Gjykatës kushtetuese nuk ka tagër për reformën në drejtësi, as nuk cakton se kush do të jenë dy vakancat e lira. Përse shkon ai ditën që gjykohet çështja e Teatrit kombëtar”, tha Budina.

Ky i fundit tha se AMT do të depozitojë të hënën padi kundër Sorecës në SPAK. Ai e akuzoi kryediplomatin e BE-së se ka ndërhyrë për këtë çështje edhe në vende të tjera në nivele ndërkombëtare, për të cilat nuk dha detaje.

"Që ditën e hënë ne do të vazhdojmë, luftën tonë dhe nuk dua të them gjëra të tjera, por z.Soreca ka ndërhyrë edhe në vende të tjera sa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar që nuk dua t’i zbuloj këtu. Në nivele ndërkombëtare, por do t’i sqarojmë të gjitha një e nga një", tha Budina.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë ligjin special PPP, ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë Tiranë si dhe ka shfuqizuar vendimin e  Këshillit Bashkiak Tiranë për miratimin e shembjes së godinës së “Teatrit Kombëtar”.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, ligji për “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe cenon parimin e shtetit të së drejtës.

Në vendim thuhet se zbatimi i këtyre akteve është i pezulluar deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Të fundit