Flash News

E-TJERA

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të grupit të laboratorëve të kokainës në Belgjikë

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të grupit të laboratorëve

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar konfiskimin e pasurive të 5 shtetasve, të sekuestruara në kuadër të një procedimi pasuror të vitit 2023. Këto pasuri dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti i tyre kriminal.

Të përfshirë në këtë rast janë shtetasit: Eridan Veliu, Sokol Çamer, Julian Veliu, Deljana Nebiu, Leknos Nebiu, si dhe persona të lidhur me ta. Ata akuzohen nga autoritetet belge për pjesëmarrje në një organizatë kriminale me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Grupi kriminal u zbulua pas çkodimit të aplikacioneve të mesazheve “Sky ECC” dhe “EncroChat”. Kreu i dyshuar i organizatës, Eridan Veliu, i njohur edhe si Eridan Munoz Guerrero, është dënuar me 14 vite burg nga autoritetet belge, pasi u zbuluan laboratorë të shumtë të kokainës në Belgjikë.

SPAK deklaron:
Në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale.”

Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi:
Apartamente dhe njësi shërbimi në Vlorë, Kamëz dhe Tiranë.
Truall dhe banesa në Vlorë.
Automjete luksoze të markave Audi, Mercedes Benz, dhe Ford Mustang.
Llogari bankare me vlerë mbi 3 milionë lekë dhe 12 mijë euro.
SPAK thekson se ky operacion është pjesë e luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave në vend.

Të fundit