Flash News

E-TJERA

SPAK kërkon të arrestojë Ballukun, ja kur mblidhet Këshilli i Imunitetit

SPAK kërkon të arrestojë Ballukun, ja kur mblidhet Këshilli

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën zyrtare për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv.kryeministres Belinda Ballukut.

Pas kësaj lëvizjeje, pritet që të premten të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit në Kuvend, për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë.

Sipas procedurës ligjore, Këshilli do të njihet me materialet e dërguara nga SPAK dhe do të hartojë një raport përfundimtar, i cili më pas do t’i paraqitet seancës plenare për vendimmarrje. Vetëm pas votimit në Kuvend mund të autorizohet zbatimi i masës së arrestit ndaj zyrtares së lartë.

Kërkesa e SPAK vjen pas vijimit të hetimeve penale, pavarësisht vendimit të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Ballukut në detyrë. Burime pranë procesit bëjnë me dije se prokuroria vlerëson se ekzistojnë prova dhe dyshime të mjaftueshme për caktimin e masës së sigurimit personal.

Belinda Balluku, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ministre dhe zëvendëskryeministre, është marrë e pandehur nga SPAK, nën akuzën për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal. Akuza lidhet me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Të fundit