Flash News

E-TJERA

SPAK sekuestron pasurinë e një grupi kriminal në Elbasan, ndalohet administratori i një biznesi

SPAK sekuestron pasurinë e një grupi kriminal në Elbasan,
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar një pasuri të konsiderueshme në Baldushk, Tiranë, që dyshohet se është produkt i veprimtarisë kriminale të një organizate me bazë në Elbasan.

Në kuadër të hetimeve të nisura më parë, të cilat përfshijnë vëllezërit F.G. (ndryshe F.Ç.) dhe H.B. (ndryshe H.Ç.), më datë 18 shkurt 2025, është vendosur sekuestro preventive mbi operatorin ekonomik “S… FARM”, që ushtronte aktivitet në fushën e agroturizmit, akomodimit dhe shërbimit të restoranteve.

Pasuritë e sekuestruara
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, sekuestrimi përfshin:

Pasurinë e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, ku operonte “S. FARM”;
Godinën e restorantit, me dy kate, kuzhinë dhe hapësira shërbimi;
Oborrin dhe ambientet e jashtme, duke përfshirë këndin e lojërave dhe hapësirat e shpendëve;
Orenditë dhe sendet brenda restorantit.
Arrestimi i administratorit dhe sekuestrimi i sendeve me vlerë
Në të njëjtën datë, rreth orës 18:45, SPAK urdhëroi ndalimin e administratorit të “S. FARM”, shtetasit P.L., i dyshuar për veprat penale:

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,
“Organizata kriminale”,
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë kontrollit personal, P.L. kishte me vete:

2,940 euro dhe 203,000 lekë;
Një orë dore Rolex;
Një varëse floriri me gurë të çmuar;
Katër telefona celularë.
Hetimet e SPAK vijojnë për të identifikuar pasuri të tjera me burim kriminal dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë skemë.

Të fundit