Flash News

E-TJERA

Tenderat e KESH-it çojnë në GJKKO Benet Becin dhe 'miqtë' e tij, kryebashkiaku mungon në sallën e gjyqit

Tenderat e KESH-it çojnë në GJKKO Benet Becin dhe

Seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, nuk u zhvillua, pasi ai nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Mungesa e kryebashkiakut, së bashku me mosparaqitjen e disa prej të pandehurve të tjerë, solli shtyrjen e procesit.

SPAK e ka çuar në gjykim Benet Becin bashkë me gjashtë persona të tjerë, nën dyshimet për shkelje të barazisë në tendera. Sipas prokurorit Dritan Preci, akuzat lidhen me një procedurë prokurimi të zhvilluar në vitin 2019, në kohën kur Beci drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Hetimet dyshojnë se në një tender konsulence me vlerë 96.5 milionë lekë, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, është cenuar konkurrenca mes operatorëve ekonomikë.

Çështja është regjistruar kryesisht pas referimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa provat janë administruar pas sekuestrimeve të kryera gjatë hetimit. Seanca e radhës është caktuar për datën 11 shkurt, në orën 12:00.

Për këtë çështje është e akuzuar edhe Adela Ruko, bashkëshortja e Berberit, dhe të pandehurit e tjerë Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 08.01.2026, ka paraqitur kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë.

Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Nga aktet e administruara ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.

Konkretisht, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se:

I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.

Në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me nenet 1, 2, 20, 24 dhe 46 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe me nenet 28 dhe 61 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

Të fundit