Flash News

E-TJERA

Tenderat/ Në 2025 rreth 62% e ankesave në KPP ishin për vlerësimin e ofertave

Tenderat/ Në 2025 rreth 62% e ankesave në KPP ishin për

Ankesat në sistemin e prokurimit publik u përqendruan kryesisht në vitin 2025 në fazën më të rëndësishme të procesit, atë të vlerësimit të ofertave, duke rritur kështu presionin mbi transparencën e procedurave.

Në raportin vjetor të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin e kaluar nënvizohet se në total u regjistruan 1,197 ankesa, nga të cilat 99.2% lidhen me procedurat e prokurimit publik. Nga këto, 748 ankesa, ose 62.5%, u fokusuan në fazën e vlerësimit të ofertave, ndërsa 37% lidhen me dokumentet e tenderit, çka tregon  se mosmarrëveshjet lindin kryesisht pas hapjes së ofertave.

Në total, Komisioni shqyrtoi 1,152 ankesa gjatë vitit, duke kërkuar në 291 raste ndërhyrje direkte nga autoritetet kontraktore për korrigjimin e procedurave. Në të njëjtën kohë, 37 raste kërkuan ndjekje shtesë për zbatimin e vendimeve pas tejkalimit të afateve ligjore, ndërsa koha mesatare e zbatimit ishte 8.8 ditë.

Analiza sipas llojit të kontratës tregon se pjesa më e madhe e ankesave lidhet me furnizimin me mallra, që përbën 56.5% të totalit, e ndjekur nga shërbimet me 33.7% dhe punët publike me 9.8%. Sa i përket vendimmarrjes, Komisioni ka pranuar plotësisht 52% të ankesave, ndërsa 32.6% janë rrëzuar. Një pjesë më e vogël e çështjeve është mbyllur përmes ndërhyrjes së vetë autoriteteve ose tërheqjes së ankesave.

Ajo që ra në sy gjatë vitit të shkuar ishte gjithashtu një “lumë” ankesash për tenderët e teknologjisë së informacionit ku një seri procedurash të zvarritura për muaj të tërë nuk arritën të finalizoheshin duke u bërë shpesh pjesë pezullimi dhe autorizimi i vendimeve të KPP.

Një tjetër tregues mbetet shpejtësia e trajtimit të ankesave, ku koha mesatare e vendimmarrjes është ulur në 10 ditë nga 12 ditë një vit më parë, ndërsa përqindja e rasteve të shqyrtuara jashtë afatit ka rënë në 8.9%. Diferencat sipas kategorive tregojnë se procedurat për shërbime trajtohen më shpejt, me mesatarisht 7 ditë, krahasuar me 10 ditë për punët publike dhe 12 ditë për mallrat. Monitor

 

Të fundit