Flash News

E-TJERA

U arrestua në Greqi/ Jani Alia u shpall "Most Wanted" nga policia, ekzekutoi Elton Çiçën në ish-Bllok

U arrestua në Greqi/ Jani Alia u shpall "Most Wanted" nga

I dënuar me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e Elton Çiçës në zonën e ish-Bllokut, Jani Alia u arrestua nga policia greke dhe pritet të bëhet ekstradimi i 47-vjeçarit.

Alia është shpallur nga policia në vitin 2022 në listën e 5 personave “MOST WANTED” në Shqipëri. Asokohe, Policia e Shtetit i bëri thirrje qytetarëve të ndihmonin në kapjen e Jani Alias, Talo Çelës, Laert Haxhiut, Ibrahim Licit dhe Erjon Llapushit, kundrejt një shume që nuk e bëri asnjëherë publike.

VRASJA E ELTON ÇIÇËS

Jani Alia është dënuar në maj të vitit 2018 për vrasjen e Elton Çiçës në ish-Bllok.

Çiça dhe Alia, të dy nga Tepelena, kishin një histori të gjatë konfliktesh mes tyre që dyshohet se kishin si zanafillë prishjen e pazareve të drogës mes dy grupeve të tyre. Ndërsa një tjetër pistë ishte se Alia i ka vrarë Çiçës shokun e fëmijërisë dhe kjo u bë shkak për nisjen e një serie vrasjes dhe atentatesh.

Ngjarja që dyshohet për nisjen e konfliktit mes dy tepelenasve është vrasja e E. Ballazhiut nga Jani Alia, i cili e goditi 20-vjeçarin me thikë. Ngjarja ndodhi në vitin 2000 në Greqi dhe viktima ishte bashkëmoshatar dhe shok fëmijërie i Elton Çicës. Alia dhe Çica u përballën në një burg të Greqisë, pasi ishin arrestuar për drogë, ku ky i fundit tentoi të hakmerrej për shokun e tij, duke e goditur Alian me thikë. Pas daljes nga burgu, ata nisin atentatet ndaj njëri-tjetrit në Shqipëri.

Në janar 2016, Alias iu bë atentat, por ai u shpëtoi plumbave, ndërsa mbeti i plagosur një kalimtar rasti. Më 25 prill 2016, Alia u qëllua përsëri, ku këtë herë mori plumb në dorë. Vetëm një javë pas kësaj, Çiça u vra në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Hetuesit arritën të identifikojnë Alian si autor përmes bishtit të një cigareje, pasi në kokë mbante kapele dhe nuk identifikohej nga kamerat e sigurisë.

Alia ekzekutoi me gjakftohtësi Elton Çiçen në prani të tre personave të tjerë në lokalin “De Niro” në kryeqytet.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së lokalit pranë stadiumit “Selman Stermasi”, në Tiranë, ku ndodhi vrasja e Elton Çiçës, shihej momenti kur rreth orës 22:15 minuta vrasësi futet në lokal.

Në atë moment, në bar “De Niro” fokusohen 5 persona nga kamerat. Një person që qëndronte në këmbë pranë derës, te banaku dhe pak hapa më brendësi të lokalit, në një tavolinë ishin të ulur 4 persona. Në pamje ballore shquhej viktima, Elton Çiça, që qëndronte me kokën ulur duke shkruar diçka në celular, ndërsa në krahun e tij të majtë ndodhej oficeri i Policisë së Tiranës.

Në lokal u fut një person i veshur sportiv (Jani Alia) dhe me një kapele të bardhë në kokë, që fillimisht dukej si klient që ishte drejtuar për t’u ulur në ndonjë prej tavolinave. Sapo u afrua, ai iu drejtua me emër viktimës dhe për më pak se 2 sekonda nxorri pistoletën, duke qëlluar dy herë dhe më pas u largua nga lokali.

KONFISKIMI I PASURISË SË ALIAS

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 9 Qershor, la në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të Jani Aliajt.

Shtatë pasuritë e Jani Aliajt, nga dyqane, ullishte e vilë, do i kalojnë shtetit. Ai u bë subjekt i OFL-së në mars 2022, ku iu kërkua deklarimi i burimit të pasurisë.

46 vjeçari është dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Elton Çiçës, ngjarje e ndodhur më 1 maj të vitit 2016, në kryeqytet.

Gjithashtu ndaj Jani Aliajt ka edhe një masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Përmetit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë”, në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Të fundit