Flash News

E-TJERA

U arrestuan për korrupsion dhe shpërdorim detyre, arrest shtëpie për dy policët e Elbasanit

U arrestuan për korrupsion dhe shpërdorim detyre, arrest shtëpie

Dy efektivë të policisë në Elbasan janë arrestuar me urdhër të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Të arrestuarit janë inspektorët Nertil Xhemalaj dhe Eraldi Koprencka, të cilët me vendim të Gjykatës së Elbasanit janë vendosur në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Sipas AMP, hetimet për këta punonjës policie kanë nisur që në vitin 2024 dhe pas një procesi të thelluar hetimor, Prokuroria ka siguruar prova që krijojnë dyshime të arsyeshme për përfshirjen e tyre në veprime korruptive dhe shpërdorim detyre.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’ për dy punonjësit e policisë të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe shpërdorim detyre”, njofton AMP.

Inspektorët e arrestuar mbulonin detyra në Komisariatin e Policisë së Elbasanit dhe në Sektorin e Policisë Rrugore. Ata akuzohen se kanë shpërdoruar pozitat e tyre duke përfituar në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë, hetimet për këtë çështje vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit për të zbardhur më tej përfshirjen e tyre në veprimtari korruptive.

Të fundit