Flash News

Bota

Vala e të nxehtit godet Francën, të paktën 40 viktima

Vala e të nxehtit godet Francën, të paktën 40 viktima

Të paktën 40 persona kanë humbur jetën në Francë gjatë ditëve të fundit, pasi u futën për të notuar në zona të pambikëqyrura në përpjekje për t’u freskuar nga vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin dhe pjesë të tjera të Europës, shkruan Al Jazeera.

Pas një mbledhjeje të posaçme të krizës, kryeministri francez Sebastien Lecornu deklaroi se bilanci i viktimave, i regjistruar që nga e enjtja, përfshin kryesisht të rinj.

“Ata janë viktimat e para të krizës me të cilën po përballemi,” tha ai, duke e cilësuar situatën si një “plagë tragjike”.

Më herët, ministrja e Sportit Marina Ferrari paralajmëroi qytetarët të shmangin notin në zona të paautorizuara gjatë temperaturave ekstreme, duke theksuar se rreziku rritet ndjeshëm në kushte të tilla.

Ndërkohë, autoritetet lokale në juglindje të Francës njoftuan se vala e të nxehtit dyshohet të ketë shkaktuar edhe vdekjen e dy fëmijëve, 2 dhe 4 vjeç, të cilët u gjetën pa ndjenja në një automjet pranë banesës së tyre në Carpentras.

Po ashtu, në rajonin e Bordosë, tre persona të moshuar, të moshës nga 80 deri në 95 vjeç, humbën jetën si pasojë e problemeve shëndetësore të lidhura me temperaturat e larta.

Franca po përballet me një nga episodet më të forta të të nxehtit të viteve të fundit, ndërsa autoritetet vijojnë apelët për kujdes maksimal dhe shmangie të ekspozimit të panevojshëm ndaj temperaturave ekstreme.

Të fundit