Flash News

E-TJERA

Vendet që duhet të vizitoni në 2022-shin, Shqipëria renditet e 10-ta

Vendet që duhet të vizitoni në 2022-shin, Shqipëria renditet

Më në fund 2022-ta erdhi, por pandemia Covid-19 nuk ka përfunduar. Masat në kuadër të saj janë ende në fuqi në shumë vende të botës dhe udhëtarët ende përballen me kërkesa të ndryshme vaksinimi, testimi etj.

Kjo nuk do të thotë se nuk mund ta nisim ende 2022-shin me një pushim të veçantë. Kështu shkruan Metador Network (një uebsajt kushtuar turizmit dhe aventurierëve), ndërsa rendit vendet më të mira për të udhëtuar përgjatë këtij viti.

Në listën e vendeve të mira për të udhëtuar, Shqipëria renditet e 10-ta. Metador Network vë theksin te bukuritë përgjatë vijës bregdetare, majat e thepisura, kalatë, liqenet dhe lumenjtë si dhe monumentet moderne të ndërtuara dekadat e fundit.

Përshkrimi për Shqipërinë:

Në fillim ishte Kroacia. Më pas ishte Mali i Zi. Është e natyrshme që Shqipëria të bëhet pika tjetër e nxehtë e turizmit në Europën Juglindore që i bën udhëtarët të dynden drejt Gadishullit të Ballkanit.

Shqipëria shtrihet përgjatë detit Adriatik dhe Jon, duke ndarë të njëjtën vijë bregdetare me vendet magjepsëse të Dubrovnikut ku është xhiruar filmi “Game of Thrones”, qytet ky i cili ndodhet disa orë në veri të saj, si dhe kufizohet me kufirin perëndimor të Greqisë në jug, nga ku udhëtimet e shpejta me varkë për në Korfuz zgjasin vetëm 30 minuta. Në brendësi, Shqipëria është shtëpia e Alpeve të veta, ku parqet kombëtare të Thethit dhe të Valbonës fshehin nën majat e thepisura liqene dhe lumenj në ngjyrë blu të ndezur, ndërsa peizazhi plotësohet me kilometra të tëra tokë bujqësore të familjeve të zonës.

Familjet aristokrate të periudhës veneciane zbukuruan gjithashtu fshatrat dhe bregdetin e Shqipërisë me shumë kështjella. Ndonëse disa prej tyre kanë pësuar dëmtime, shumica e këtyre fortesave janë ruajtur çuditërisht në gjendje shumë të mirë – veçanërisht Kruja, Rozafa dhe Lëkurësi. Qyteti port i Durrësit ka gjithashtu një kështjellë, megjithëse shumica e udhëtarëve vijnë këtu për të parë amfiteatrin e madh të periudhës romake. Edhe më mbresëlënës është qyteti antik i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili ndodhet në parkun kombëtar me të njëjtin emër, teatri helenist i të cilit ende ofron shfaqje çdo verë gjatë festivalit të Butrintit.

Jo e gjithë arkitektura e Shqipërisë është e vjetër. Në kryeqytet, Piramida e Tiranës është një nga monumentet më magjepsëse të vendit. Fillimisht kjo strukturë u ndërtua në vitin 1988 si muze në nder të liderit shumëvjeçar komunist Enver Hoxha, por më vonë ajo u përdor si qendër postkomuniste konferencash, si bazë e NATO-s gjatë Luftës së Kosovës dhe si qendër transmetimi për mediat shqiptare. Që nga viti 2018, plani më i fundit për piramidën është shndërrimi i saj në një Qendër TUMO për Teknologjitë Kreative për adoleshentët vendas.

Kryeqyteti shqiptar, Tirana, ka gjithashtu disa nga zonat më të nënvlerësuara për ngjitjen e shkëmbinjve në Ballkan – duke përfshirë ato në afërsi të një kështjelle tjetër, rreth 30 minuta në jug të qytetit, në fshatin Petrelë. Nëse ju pëlqen të ecni nëpër buzët e shkëmbinjve, Shqipëria duhet të jetë absolutisht në radarin tuaj për vitin 2022.

Vendet e tjera që Metador Network vlerëson për t'u vizituar në 2022-shin janë:

- Zelanda e Re

- Ogden, Utah

- Mo’orea, Polinezia Franceze

- Stamboll, Turqi

- Porto Riko

- Puerto Vallarta, Meksikë

- Arabia Saudite

- Barbados

- Pekin, Kinë

- Shqipëria

- Svalbard, Norvegji

- Ishujt Azores

- Durban, Afrika e Jugut

- Westfjords, Islandë

- Lewiston, Idaho

- Kolumbia

- Koreja e Jugut

- Traverse City, Michigan

- Kosta Rika

- Shteti i Oaxaca, Meksikë

- Trinidad dhe Tobago

- Porto, Portugali.

 

 

Të fundit