Flash News

E-TJERA

Vendimi brenda 30 ditësh/ Balla: Të heshtim deri në dhënien e verdiktit. Dervishaj: Kuvendi manipuloi provat

Vendimi brenda 30 ditësh/ Balla: Të heshtim deri në dhënien

Gjykata Kushtetuese do ta shpallë vendimin e arsyetuar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta brenda 30 ditëve. Në përfundim të seancës, përfaqësuesi i Kuvendit, Taulant Balla deklaroi se duhet rspektuar heshtja institucionale derisa gjykata të japë verdiktin,

“Ashtu siç parashikohet në ligjin e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë kemi detyrimin të ruajmë një heshtje institucionale, derisa gjykata, brenda afatit 30 ditor, vendimi i shoqëruar me arsyetimin përkatës.

Unë mendoj që çdo deklaratë e imja apo e palëve të përfshira në proces nuk do t’i bënte mirë çuarjes deri në fund të një procesi që unë e quaj festë për demokracinë”, u shpreh Taulant Balla.

Ndërkohë këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj tha se u mbyll një seancë e iniciuar pa të drejta nga Kuvendi, ndërsa e akuzoi këtë të fundit për manipulim provash.

“Sot u mbyll seanca gjyqësore e iniciuar krejtësisht pa të drejtë nga Kuvendi i Shqipërisë. Për fat të keq u provua dhe sot se Kuvendi për qëllime politike depozitoi prova shkresore të manipuluara, vetëm e vetëm me qëllimin që të rrëzoheshin pretendimet e Kreut të Shtetit.

E kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë për një çështje kaq të rëndësishme sa është shkarkimi i Presidentit të Republikës në një çështje që nuk duhet të ekzistonte, imagjinoni çfarë ndodh me institucionet e tjera. Presidenti ka vendosur t’i drejtohet prokurorisë lidhur me këtë çështje”, tha Dervishaj.

 

Të fundit